Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë, ka thënë se në Policinë e Kosovës nuk ka pagë 2200 euro dhe se zyrtarët që kanë marrë shuma të tilla këtë vit, i kanë marrë për shkak të nivelit të madh të orëve të punës në veri, në situatën e jashtëzakonshme.

Një ditë më parë, Njësiti Special Intervenues i Policisë së Kosovës protestoi para objektit të Qeverisë duke kërkuar rritjen e shtesave për rrezikshmëri. Në mbrëmje, ministri i Punëve të Brendshme dhe kryeministri shuan shpresat duke thënë se këta policë sivjet kanë marrë nga mbi 2200 euro në muaj mesatarisht.

Megjithatë, siç ka thënë Zeqiri, kjo nuk është pagë sepse “një e tillë nuk ekziston në Policinë e Kosovës”. Ai madje ka thënë se këta zyrtarë kanë qëndruar nga 22 ditë të plota, nga 24 orë, në muaj në veri, “duke tejkaluar çdo normë ligjore”.

Ai ka thënë se nuk janë vetëm policët e kësaj njësie që janë të pakënaqur me propozimin e ri të Qeverisë për shtesat për rrezikshmëri.

“Një pagë e një pjesëtari të FIT-it, varësisht nga grada, nëse është polic i lartë është 619 euro pagë bruto. Sepse e ka koeficientin 5.9 x 105 (vlera e koeficientit), plus përvoja edhe nja 30 euro e mund të jetë 639 euro dhe jo ma shumë. S’ka shtesë tjetër sepse që nga implementimi, asnjë shtesë nuk po e pranojmë”, ka thënë ai duke shtuar se para Ligjit të pagave, shtesat kanë qenë “dyfish më të mëdha”. “Shtesa për rrezikshmëri para implementimit të ligjit të pagave ka qenë më e ulëta 105 euro dhe 215 për FIT-in dhe po e njëjta njësi ka më shumë se 10 vjet që me vendim ka marrë edhe nga 100 euro shtesë dhe shtesa për rrezikshmëri të tyre ka qenë 315. Para një javë dite me propozim e që s’kemi vendim, por vetëm disa propozime që i kemi marrë nga mediat është shtesa nga 45 euro deri në 150 euro, pra në 7 nivele që do të thotë se është më pak se gjysma e asaj që kemi pranuar”.

Zeqiri ka thënë se ky propozim është i papranueshëm. Duke treguar se mbi 23 policë kanë humbur jetën që nga themelimi i Policisë e mbi 4700 janë lënduar, ai ka thënë se mjaftojnë si argumente se shtesat për rrezikshmëri janë të ulëta.

“Kushdo që e thotë se ka pagë 2200 euro, nuk është… sepse ligji i pagave është publik. Tabela e krahasimit është publike. Të gjitha njësitë speciale që ishin në veri gati tërë vitin sepse e kemi pasur situatën, kanë punuar me orar të zgjatur, nganjëherë duke tejkaluar çdo normë ligjore sepse kanë qëndruar me javë të tëra në vendin e punës”, ka thënë ai duke shtuar se policët kanë qëndruar atë kohë “tre herë më shumë në punë sesa në shtëpi”.

“Për një muaj secili zyrtar që ka qenë i angazhuar në veri për kohë të gjatë, nga 22 ditë ka qëndruar në punë në 24 orë here shtatë. Vetëm nga 8 ditë në shtëpi”, ka treguar Zeqiri.

Sipas tij, vlera prej 2200 eurosh e përmendur nga qeveritarët ka mundur të arrihej përmes orëve shtesë dhe punës sekondare që lejohet në Polici.

“Bëhet fjalë për tetë orë punë dhe tetë orë në njësitin e sigurimit diku për t’u paguar më mirë. Të gjitha mjetet polici i pranon në një vend. Orët shtesë, punën sekondare dhe punën bazë. Nëse janë llogaritur këto mund të dalë një shifër, por polici s’e ka një pagë të tillë…. Në polici s’ka pagë 2200 euro”, ka shtuar ai. /koha.net