Kryeshefi bën kallëzim penal për punësime e keqpërdorime në kompaninë “Uniteti”

Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Uniteti” në Mitrovicë, Gazmend Morina ka dorëzuar dy kallëzime penale në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës ndaj zyrtarëve që kanë punuar para tij, për shkak se sipas Morinës, ata e kishin dëmtuar kompaninë me kontrata të dëmshme dhe duke nënshkruar fatura pa autorizim.

I gjithë dëmi sipas tij është 20 mijë euro.

“Në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv më datë 26.07.2019 kam bërë dy kallëzime penale në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, pasi që kam evidentuar se zyrtar të KRM “UNITETIT” para marrjes së detyrës nga unë, e kanë dëmtuar këtë kompani publike duke lidhur kontratë të dëmshme në vlerë rreth 10 mijë euro dhe duke nënshkruar FATURA PA AUTORIZIM në vlerë rreth 10 mijë euro.” shkroi Morina në Facebook.

Përveç kësaj, në këtë kompani 50 persona janë punësuar në mënyrë të kundërligjshme nga persona të cilët e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Po ashtu kam gjetur punësime të kundërligjshme të cilat personat zyrtar i kanë bërë duke keqpërdorur detyrën zyrtare, ku kam evidentuar se janë bërë mbi 50 punësime me KONTRATA TË RREGULLTA pa përfillur procedurën e konkursit publik” shkroi Morina.

loading…