Ali Selimaj

Kryeprokurori s’lejon negociata për pranim të fajësisë së Ndrecajt që vrau ish gruan dhe vajzën

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, nuk ka dhënë leje që të negociohet marrëveshja për pranimin e fajësisë në rastin ku Pjetër Ndrecaj akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Lajmin e ka konfirmuar vetë kryeprokurori Selimaj, ku ka dhënë edhe arsyet se pse ka marrë një vendim të tillë.

“Po është e vërtetë që unë nuk kam dhënë leje që të hyhet në negociata për arritjen e një marrëveshje për pranimin e fajësisë. I pandehuri në këtë rast është recidivist. Ai veprën penale e ka kryer një muaj pasi ka dalë nga paraburgimi. Nuk kemi çka të zbulojmë më tepër këtu”, ka thënë kryeprokurori Selimaj për “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjakovë, mbrojtësja e të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, avokatja Fehmije Zhubi, ka kërkuar nga Gjykata që të shtyhet seanca, në mënyrë që të mundësohet negocimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Lidhur me këtë propozim nuk ka pasur kundërshtime nga prokurori i rastit, Agron Matjani, i cili ka thënë se e lë në vlerësim të gjykatës.

Por, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Isa Osdautaj e ka kundërshtuar propozimin për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Gjykatësi i rastit Gëzim Pozhegu, e ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses së të akuzuarit, duke vendosur që seanca e së mërkurës të shtyhet në afat prej shtatë ditësh.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 31 tetor nga ora 10:00.

Prokuroria Themelore Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Ndrecajt, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” nga 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N, dhe vajzën e tij K.N.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e vëllezërve të viktimës i armatosur, ku ka qëlluar më pushkën automatike në drejtim të shtëpisë, si dhe ka qëlluar me armë ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij, të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë.