Kryeprokurori Lumezi jep detaje për aksionin “Pika”, e lidh me agjendën e liberalizimit të vizave

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Policisë, dha detaje për prangosjen e 48 zyrtarëve policorë dhe dy doganierëve për veprat penale të marrjes së ryshfetit.

Lumezi tha se ky është sukses i madh i institucioneve, ndërsa kujtoi se “lufta kundër krimit dhe korrupsionit është në agjendën e vendit tonë në procesin e liberalizimit të vizave”.

“Fillimisht kemi pasur informacione se janë duke u kryer vepra penale të marrjes së ryshfetit në pikat doganore”, tha Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit tha se hetimet kanë nisur kundër 68 personave, ndërsa aktualisht janë arrestuar 50 prej tyre.

“Në momentin e zbulimit të identiteteve të kryersëve të veprave penale, kemi nxjerr aktvendim për zhvillimin e hetimeve kundër 68 personave. Sot jeni njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe dy nga shërbimi doganor i Kosovës. Ndërsa personat tjerë, ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve janë në arrati, disa nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës”, tha Lumezi.

Në këtë pikë, Lumezi tha se “jemi duke bashkëpunuar me autoritetet e Republikës së Shqipërisë” për të siguruar, siç tha, “informacione dhe prova që do të na shërbejnë”.

“Nga 50 personat e arrestuar janë konfiskuar telefonët mobilë të cilët i kanë poseduar, të cilët do të na shërbejnë më vonë në këtë çështje”, tha Lumezi.