Kryeprokurori Lumezi flet për audio-incizimin ku përmendet edhe emri i tij

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thyer heshtjen në lidhje me audio incizimet e fundit, që kanë dalë në media ku përmendet edhe emri i tij.

Kryeredaktori i portalit Shqip.com, ku u publikohen disa audio-incizime, Lirim Mehmetaj ka thënë se deri më tani prokuroria nuk ka kërkuar audio materialet për hetime.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në një lidhje telefonike në “Debat Plus” ka folur për këto pretendime.

“Ne nuk kemi dalë me një prononcim publik për këtë temë, por prokuroria ka filluar hetimet për këtë temë, për të vërtetuar nëse këto përgjime janë të ligjshme apo jo. Sipas informatave të deritanishme që unë kam, përgjimet në fjalë nuk kanë qenë të autorizuara”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Lumezi thotë se personi që ka kryer përgjimet, nuk i ka dorëzuar ato në Prokurori.

I pyetur për lakimin e emrit të tij, Kryeprokurori thotë se nuk ka çfarë të flasë.

Lumezi thotë se prokurorja e etiketuar nuk e ka njohur personin me të cilin ka kontaktuar.

Kryeprokurori nuk e mohon se ka kontaktuar me personin në fjalë, por sipas tij ai ka tentuar të arrije te Kryeprokurori.

“Personi në fjalë ka tentuar përmes mashtrimeve të vijë deri të Kryeprokurori i Shtetit me arsyetimin se ka dokumente”.

Lumezi thotë se ka raste kur kontakton me njerëz të panjohur për shkak të punës që ka.