Grabitje e armatosur

Kryen rreth 10 grabitje të armatosura – arrestohen katër persona në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë

Hetuesit e Njësitit të hetimeve të Përgjithshme, mbrëmë kanë arrestuar katër persona që dyshohet se kanë kryer së paku 10 vepra të vjedhjes, të cilat janë bërë nën kërcënimin e armëve.

Zëdhënësja e Policisë për Prishtinë, Flora Ahmeti, ka thënë për Telegrafin se personat e arrestuar dyshohet se janë përfshirë në rastet e grabitjeve që kanë ndodhur në pompa derivatesh e markete në Prishtinë.

“Personat e arrestuar janë F.M., 34 vjeç, A.S., 34 vjeç, F.M., 32 vjeç, dhe Xh.S., 41 vjeç, të cilët janë arrestuar në Stacionin e Autobusëve, duke tentuar të largohen nga Kosova”, tha Ahmeti.

Ajo shtoi se personat e dyshuar pas intervistimit nga ana e hetuesve me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.