Kryeministri Plenkoviq: Nëse Putin vjen në Kroaci, do ta arrestojmë

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq bëri një deklaratë në Bruksel pas takimit dyditor të pranverës në samitin e liderëve evropianë.

Temat kryesore të samitit ishin mbështetja e mëtejshme për Ukrainën, veçanërisht në sasi të mjaftueshme municionesh, konkurrueshmëria e ekonomisë evropiane, veçanërisht në raport me SHBA-në dhe Kinën, si dhe tregun e brendshëm dhe çështjet e energjisë dhe migracionit.

Nëse presidenti rus Vladimir Putin, për të cilin Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ka lëshuar një urdhër arresti, do të vizitonte Kroacinë, ai do të arrestohej në përputhje me procedurën e përcaktuar me ligj, tha të premten në Bruksel kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

Kroacia aderoi në statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe u miratua një ligj për bashkëpunimin me atë gjykatë.

“Ai ligj parashikon të gjitha procedurat në rast se ka urdhër arrest për një person dhe me sa di unë këtu nuk vlen imuniteti. Rrjedhimisht, procedura do të ishte pikërisht ashtu siç parashikon ai ligj dhe sigurisht që do të reagonin policia kroate dhe autoritetet kompetente”, tha Plenkoviq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se si do të vepronte Kroacia në rast të vizitës së Putinit.

Plenkoviq theksoi se një vizitë e tillë “në fund të fundit nuk është realiste”.

“Nuk besoj se do të shkojnë kaq shpejt në vendet nënshkruese të Statutit të Romës”, tha Plenkoviq.