Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tanimë po e zë të përfunduar vendimin e Gjykatës Kushtetuese ani pse ajo është vetëm një Masë e Përkohshme, ai ka shpallur datën e zgjedhjeve sot që do t’i konvenonte.

Kurti në një bisedë me qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se as Partia Demokratike e Kosovës e as kryetarja e Kuvendit Vjosa Osamni dhe disa deputetë të tjerë nuk duan Qeveri të re, por duan zgjedhje të reja.

Ai ka thënë se Vetëvendosjes do t’i konvenonin zgjedhjet me 14 qershor, pasi me 12 qershor do ta festonin edhe 15 vjetorin e themelimit të LVV’së.

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”, ka thënë Kurti, transmeton Gazeta Metro.

Komunikata e plotë nga LVV:

Sot u mbajt mbledhja me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilën morën pjesë kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, njëherit edhe kryeministër, sekretarja organizative, znj. Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, z. Valon Hoti.

Kryeministri Kurti nga zyret e Lëvizjes foli mbi prioritetin e punës së tij gjatë kësaj kohe, që është ai i menaxhimit me pandeminë COVID-19. Masat e reja të ndërmarra kanë pasur efektin e tyre çka ka ndikuar në uljen e trendit të të infektuarve e rritjen e numrit të të shëruarve. Me masat e qeverisë e këshillat e profesionistëve shëndetësor, por edhe me më të rëndësishmen displinën e bashkëpunimin qytetar shumë shpejt do ta mposhtim virusin.

Në mbledhje u theksuan edhe punët të tjera duke filluar nga çlirimi i bordeve e menaxhmenteve të ndërmarrjeve publike deri te denoncimi i gjetjeve të shumta që kanë ngulfatur këto ndërmarrje nga njerëz të pushtetit të vjetër.

Duke folur mbi zhvillimet e fundit, sa i përket përpjekjeve antikushtetuese, jolegjitime dhe ilegale të Klubit të Stërvjetëruar Politik, kryeministri Kurti potencoi:

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga Presidenti nuk e përkrah as Kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”.

Pas pikës politike, mbledhja vazhdoi me çështjet organizative dhe formën se si do të kryej veprimin e saj organizata jonë në këtë kohë pandemie. Zyret tona janë hapur sërish, puna dhe aktivitetet intensifikohen.