Kryeministri malazez: Zaevi le të merret me atë se si iku Gruevski nga Maqedonia

Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq, ka deklaruar se është detyrë e Maqedonisë dhe jo e Malit të Zi që të kujdesej për arratisjen e Nikolla Gruevskit. Ai ftoi kryeministrin Zoran Zaev që të merret më shumë me çështje se pse nuk u lëshua në kohë fletarresti për Gruevskin.

Duke e komentuar deklaratën e Zaevit, i cili para disa ditësh tha se ndjehet i habitur që katër shtete-mike të Maqedonisë kanë lejuar ikjen e Gruevskit përmes territorit të tyre, Markoviqi tha se Gruevski nëpër Malin e Zi ka kaluar në mënyrë ligjore me dokumente personale.

“Ka hyrë në Malin e Zi dhe ka shkuar për Serbi. Në atë moment sipas të dhënave që posedon Mali i Zi për Gruevskin nuk ka pasur të lëshuar fletarrest, e as nuk ka pasur interesim nga Maqedonia.

Miku im Zoran Zaev duhet të merret me faktin se pse me kohë nuk është lëshuar urdhër-arrest për Gruevskin dhe si ka arritur ai të futet pa pasaportë në një vend anëtar të BE-së, kjo çështje nuk mund t’i ngarkohet Malit të Zi”, tha Markoviqi në intervistë për radiotelevizionin publik të Malit të Zi, RTCG.