Kryeministri Kurti përkujton Ukshin Hotin me një thënie të tij për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar jetën dhe veprën e profesorit të zhdukur në luftë, Ukshin Hotit, duke zgjedhur fjalët më të larta për përshkrim.

Kurti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, e ka quajtur profesorin Hoti si “i zhdukuri maksimal, me ndërgjegje të pasur e me dije të lartë”, shkruan lajmi.net.

“Gjithnjë do të shprehemi për Ukshin Hotin, sepse ai është i zhdukuri maksimal, ai që u zhduk me ndërgjegjen e tij të pasur dhe me dijen e tij të lartë. Ne e dimë se një objektor i tillë sjelljeje, se një orientues i tillë fryme duhet në çdo kohë, sidomos në këto të paqeve të ngarkuara dhe pavarësive të dëmtuara. Sikur ta kishim mes nesh, do të vinte pranë nesh, pranë teje, meje, të gjithëve neve. Para neve, pa na kthyer shpinën. Në çdo datë të tij apo të heronjve të tjerë të mendimit e të veprimit, vendet bëhen të gjalla, në qytet do të kishte qendërzime bisedash rreth temës së lirisë dhe politikës”, ka shkruar ai.

Tutje, kryeministri Kurti ka përkujtuar edhe thënien e profesorit Hoti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, i cili ky i fundit thoshte se një bashkim të këtillë “rusët do ta përjetonin si gjermanizim të tepruar të Evropës”.

“Është në virtytin e të zhdukurit të jetë i gjallë mes nesh. Është në vetinë e të zhdukurit maksimal të jetë orientuesi më i gjallë mes nesh”, përfundon postimi i Kurtit.