Kryeministri kroat: Hungarezët konfirmuan se e kanë parë fluturaken, por menduan s’e nuk ka rrezik

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq ka komentuar rrëzimin e fluturakes sot në Zagreb pas takimit të liderëve evropianë në Versajë, transmeton Demokracia.com.

Pas takimit, Plenkoviq në një deklaratë për media tha se fillimin e takimit e ka shfrytëzuar për të informuar kolegët e tij për rrëzimin e dronit në Zagreb, në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm për një situatë të tillë të mundshme të ngjashme në vendet e tyre.

“Kam dërguar një letër ku i kemi informuar teknikisht në detaje për incidentin. Ne po kontrollojmë gjithçka. Detyra është të bëhen hetime. Jemi në komunikim me Hungarinë, Rumaninë, Ukrainën. Në çdo rast, ne duhet të shqyrtojmë gjithçka. Nuk është normale që një avion i tillë i përmasave të tilla të vijë në Kroaci dhe të bjerë. Mirë që nuk ka rënë aty ku ka pasur njerëz, në shtëpi, në pallat dhe fatmirësisht nuk ka patur viktima, por Zoti na ruajt. Nuk është normale të ndodhë një situatë e tillë, duhet të rrisim vigjilencën. Kjo është një situatë e rëndë në të cilën të gjitha shërbimet duhet të jenë të gatshme për ngjarje të tilla të paimagjinueshme deri dje”, tha Plenkoviq.