Andrej Plenkoviq

Kryeministri kroat: Evropa duhet të merr masa ndaj Serbisë, dita e zisë e identifikoi Beogradin me sulmin në Kosovë

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai kroat Andrej Plenkoviq dënuan ashpër dhunën e njësive paraushtarake serbe në veri të Kosovës, si dhe “heroizimin” e tyre nga Beogradi, duke bërë thirrje për masa të BE-së dhe Perëndimit kundër Serbisë.

Të dielën, më 24 shtator, rreth tridhjetë pjesëtarë të armatosur rëndë të njësive paraushtarake serbe vranë një polic të Kosovës në fshatin Banjska në veri të Kosovës.

Forcat e sigurisë së Kosovës eliminuan tre sulmues serbë në betejë, prandaj Beogradi shpalli ditë zie.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Zagreb, Rama tha në një konferencë në Banski dvori se agresioni i forcave paraushtarake është po aq shqetësues sa edhe reagimi i Beogradit, transmeton Ballkani.info.

“Kemi një krim, vrasjen e një polici dhe kemi heroizimin e atyre që e kanë kryer”, tha kryeministri shqiptar dhe vuri në dukje se kjo nuk duhet të jetë e pranueshme në Evropë, e cila ka vlera të kundërta.

Plenkoviq theksoi se këto lëvizje “nuk mund të mbeten pa përgjigje” dhe se vendimi i Beogradit në ditën e zisë “pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur”.

Ai theksoi se do të vijojë një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të propozojë masa.

Plenkoviq: Jam i sigurt se do të merren masa

Komisioni Evropian (KE) gjithashtu mund të marrë masa në mënyrë të pavarur, pa pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare, siç bëri kundër Kosovës disa muaj më parë.

Për shkak të mosrespektimit të kërkesave të BE-së ndaj Prishtinës, KE-ja mori masa për të pezulluar punën në trupat punues në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, tërhoqi ftesat për takime të nivelit të lartë dhe pezulloi Kosovën nga programi i saj në vlerë prej 7.5 miliardë euro.

Kryeministri kroat theksoi se është i sigurt se masat do të merren dhe Rama bëri thirrje që ato të zbatohen “pa humbur kohë”, pasi vendimi i Beogradit në ditën e zisë nuk lë vend për interpretime të ndryshme. /Ballkani.info/