Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha e ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mandatin e ri në qeverisjen e vendit.

Në letrën e urimit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Jansha shpreh besimin për marrëdhënie miqësore mes dy vendeve.

“Dua gjithashtu të shfrytëzojë këtë mundësi për të shprehur besimin e palëkundur që marrëdhëniet miqësore dhe partneriteti ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës do të vazhdojë të forcohet në dobi të qytetarëve tanë”, shkroi kryeministri slloven në letër.

Jansha i uroi suksese Kurtit.

“Sllovenia i kushton rëndësi të posaçme marrëdhënieve të saj me shtetet e Evropës Jug-Lindore dhe përparimit të tyre në rrugën drejt integrimit Evropian. Ju lutem, jini të sigurt që Kosova mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e plotë të vendit tonë dhe në ndihmë në këtë fushë”, shkroi ai.