Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson ka deklaruar se Rusia po planifikon luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.
Ai i referohet luftës së dytë botërore, duke thënë për BBC se “të gjitha shenjat janë se plani tashmë ka filluar në disa kuptime”.
“Inteligjenca thotë se Rusia synon të nisë një pushtim që do të rrethojë kryeqytetin ukrainas Kiev”, tha Johnson.
Më tutje, ai tha se njerëzit duhet ta kuptojnë koston e madhe njerëzore që mund të sjellë kjo luftë.
Kryeministri britanik po fliste nga Mynihu ku liderët botërorë po takohen në konferencën vjetore të sigurisë.
Vlerësimet e fundit thonë se numri i trupave ruse të vendosura përgjatë kufirit të Ukrainës është midis 169,000 dhe 190,000.
Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar javët e fundit se Rusia po përgatitet për të pushtuar Ukrainën në çdo kohë, por Rusia i ka mohuar pretendimet.







