Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur para mijëra protestuesve duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama për largimin e 400 mijë shqiptarëve. Ajo tha se qeveria e tij dështoi dhe foli për rrezikun e kthimit të trafikut të vizave.
“30 vjet më parë kur studentët e dhjetorit u ngritën, u ngritën për një shtet të barabartë, demokraci dhe lëvizje të lirë. Ne sot mbajmë vendin e parë në Europë për azilkërkues. Të gjitha duna të largohen nga Shqipëria. Kjo do të sjellë heqjen e vizave. Ky njeri që nuk mendon për shqiptarët por vetëm për veten e tij ka detyruar shqiptarët të ngrihen dhe të ikin. Ky njeri do të kthejë dhe njëherë trafikun e vizave. Ky ka krijuar probleme pafundësisht. dështoi si qeveri me 300 mijë vende e punës. Nuk hapi 300 mijë vende pune por largoi 400 mijë shqiptarë nga Shqipëria. E kemi dëgjuar që do hiqte TVSH-në për fermerët por iu shtoi taksat”, tha kryetarja e LSI.
Sipas saj, Rama ka kthyer një prokurori që shërben për bandat. “Një prokurori që ka arrestuar 38 mijë fukarenj dhe nuk thërret qoftë dhe njëherë të vetme Damian Gjiknurin, Qendron që vjedhin vetëm me një firmë 40 mln euro. Nuk ka thirrur një herë Vangjush Dakon apo Edi Ramën. Një mesazh për vëllezërit tanë policë: Janë njësoj si ne, janë me zemër këtu në parlamentin e popullit sepse kanë rrogën më të ulët që duhet të ketë një polic për t’u përballur me krimin”, tha Kryemadhi.
Ajo deklaroi se djegia e mandateve të opozitës për shumëkënd mund të jetë veprim ekstrem, i nxituar por se ishte përgjegjësi e plotë e atyre deputetëve që morën përsipër të jenë njësh me popullin.
“Djegia e mandateve për të treguar se interesi publik është më i madh se interesi i 5 njerëzve që drejtohen nga Edi Rama. Ishte një mea culpa i jonë që ne sot nuk duhet të ndalemi por të ecim para për të thënë se shqiptarët e kanë vetë fatin në dorë”, deklaroi Kryemadhi.
Ajo tha se Rama ka ikur që në momentin që dështoi. “Është kryeministri më dështak dhe që i ka bërë më keq shqiptarëve në këto vite. Sot ne jemi një pjesë por mendoni që qindra dhe mijëra të tjerë në të gjithë Shqipërinë që janë me ne, na përkrahin dhe janë kundër politikave diskriminuese të Edi Ramës. Unë ju uroj gjithë të mirat, Zoti ju ruajtë ju, familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe i ndihmoftë të gjithë ku janë”, përfundoi Kryemadhi.







