Kryemadhi e prerë: Rama ta harrojë bashkëpunimin me LSI

Në politikë ekziston shprehja “kurrë mos thuaj kurrë”, por për Kryemadhin, kryetaren e LSI-së kjo shprehje duket se nuk ekziston.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë për Neës 24 ka mohuar në mënyrë kategorike bashkëpunimin me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Edi Rama dhe Rilindja më 25 prill duhet të ikin. Dhe çdo deputet i LSI-së, nuk ka shans jo vetëm ta votojë, por as ta ëndërrojë që Edi Rama mund të ketë mundësinë e bashkëpunimit me LSI-në. Jo për LSI-në, jo për Monikën, por për shqiptarët. Sepse janë ata që ja kanë kushtëzuar LSI-së largimin me çdo çmim të Edi Ramës”, deklaroi Kryemadhi.

Më tej ajo ka sqaruar se pse e kërkojnë largimin me çdo çmim. “Pse e them me çdo çmim? Sepse jeta e një fëmije të familjes shqiptare është shumë më e rëndësishme se pushteti i Edi Ramës dhe xhepat e oligarkëve që rrinë tek Edi Rama. Kushton shumë më shumë jeta e një shqiptari që punon tokën, e një naftëtari që nuk paguhet, e një papuni apo e një pensionisti, sesa pushteti i Edi Ramës, apo paratë që marrin nga buxheti i shtetit oligarkët e emëruar të tij”, theksoi kryetarja e LSI-së.