KRUP-i thotë se kontraktorë të KEDS-it kanë dëmtuar një gyp të ujit në lagjen “Agim Ramadani”

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, njofton se sërish është dëmtuar një gyp i ujit, siç thotë kompania, nga palë të treta.

“Kësaj radhe dëmtohet gypi i ujit nga kontraktorë të KEDS-it në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, gyp me diametër fi 200 mm. Ne nuk kemi qenë të informuar nga dëmtuesit, por nga një qytetar i kësaj rruge”, njofton KRUP-i.

Kompania thotë se ekipet teknike janë në vendngjarje nga ora 10:00 e ditës së sotme dhe po merren me sanimin.

“Natyra e dëmtimit është tejet e ndërlikuar dhe kërkon kohë për sanim. Me përkushtim të jashtëzakonshëm po besojmë që uji do t’ju vie konsumatorëve të Aktashit dhe linjës së rrugës “Agim Ramadani” deri në orën 18:00, nëse nuk dalin probleme të tjera gjatë procesit të sanimit”, thuhet në njoftim.