Gjatë karnavalit

Kroatët e nervozojnë Daçiqin, pasi që dogjën figurat e diktatorëve Vuçiq dhe Putin të ulur mbi gomarë (FOTO/VIDEO)

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq dënoi të mërkurën djegien e figurës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në karnavalin në Kashtel Stari të Splitit dhe i dërgoi një notë proteste Ambasadës së Republikës së Kroacisë në Beograd, njoftoi zyra e Daçiqit.

“Dënoj fuqishëm incidentin që ndodhi më 13 shkurt 2024, gjatë procesionit tradicional të karnavaleve, në fshatin Kashtel Stari në Republikën e Kroacisë”, tha Daçiq, transmeton Ballkani.info.

Sipas vlerësimit të tij, djegia e një kukulle me imazhin e Presidentit të Serbisë është një “akt absolutisht i papranueshëm”, i cili është në kundërshtim të plotë me angazhimin e shprehur bashkërisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe përmirësimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes dy vendeve.

Siç raportuan dje disa media, të martën përfundoi procesioni i 211-të ndërkombëtar i Karnavalit në Kashtel Stari dhe banorët e Kashtelit i vunë flakën Kranjës në fund të manifestimit edhe këtë vit.

Kranja u përfaqësua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ai rus Vladimir Putin, të cilët u paraqitën si Don Kishoti dhe Sanço Panço mbi gomarë dhe kukullat e tyre përfunduan në flakë, transmeton Hina. /Ballkani.info/