LAJMI I FUNDIT

Kroacia iu përgjigj Serbisë me të njëjtën masë: E dëbojnë diplomatin serb

Ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliq Radman ka folur sot për dëbimin e një diplomati kroat nga Serbia. Sipas mediave kroate, Kroacia po dëbon diplomatin serb Petar Novakoviq.

“Ne prisnim një përshkallëzim, por jo një lëvizje kaq radikale, që nuk është e zakonshme”, ka thënë Grliq Radman me rastin e dëbimit të diplomatit kroat, sekretarit të parë të ambasadës kroate në Serbi, Hrvoj Shnajder, transmeton Ballkani.info.

Grliq Radman tha se Kroacia ka marrë një masë reciproke.

“Kemi vendosur që këshilltarin e ambasadës serbe në Kroaci ta shpallim persona non grata të Kroacisë. Nota i është dorëzuar ambasadorit dhe në të thuhet se këshilltari duhet të largohet nga territori i Republikës së Kroacisë”, tha ai.

Ai po ashtu tha se refuzojnë arsyet për dëbimin e diplomatit kroat nga Serbia.

“Ambasadorit kroat nuk i është dhënë arsye, është thënë se nuk është e nevojshme të arsyetohen. Nuk i dimë arsyet e vendimit, gjë që është edhe më shqetësuese”, tha ai.

I pyetur për tabloidet serbe që shkruanin se një diplomat kroat u dëbua me akuzën e spiunazhit, ai tha: “Ai nuk u dëbua nga mediat, por nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë. Ata nuk i thanë arsyet, ata janë partnerët tanë për komunikim, kjo është e rëndësishme për ne”.

“Nuk e prisnim këtë, ne thjesht u përgjigjëm reciprokisht”, tha ai.

A është këshilltari një post më i lartë se sekretari i parë dhe a do të thotë kjo se Kroacia iu përgjigj më fort Serbisë?

“Është çështje përzgjedhjeje, nuk e prisnim që të dëbohej ndonjë diplomat. Ne ishim kundër. Çfarë duhet t’i kishim pyetur ata që do të përjashtohen? Ne nuk jemi udhëhequr nga grada apo emri diplomatik,” tha ai. /Ballkani.info/