Pranë shkarkimit

Kriza te Real Madridi, Lopetegui në ditët e fundit

Një muaj më parë, Gareth Bale u shpreh se Real Madridi do të ishte më shumë skuadër pa Cristiano Ronaldon, por rezultatet duket se nuk po flasin në favor të kampionëve të Evropës, të cilët kanë pësuar humbjen e tretë radhazi dhe kanë 5 ndeshje pa fitore.

Për momentin, Julen Lopetegui ka marrë votëbesimin pas një takimi me Florentno Perez, mbrëmjen e djeshme, por mediat spanjolle pranojnë se tekniku i ka ditët e numëruara në stolin e “Los Blancos”, dhe shkarkimi i tij pritet të ndodhë shumë shpejt.

Sipas tifozëve, gjithsesi faji nuk i takon vetëm Lopeteguit. Pas largimit të CR7, Florentino Perez kishte një vetëbesim të madh se Benzema, Bale e mbi të gjitha Vinicius, ishin të mjaftueshëm për të zëvendësuar portugezin, i cili kishte shënuar mesatarisht 50 gola në sezon, gjatë 9 viteve të tij tek Reali.

Në takimin me Levanten, Lopetegui nuk kishte futur asnjë prej këtyre futbollistëve në formacionin titullar, madje Vinicius nuk gjendej as në stol, duke shpresuar se disa prej lojtarëve të rinj të Realit, si Mariano, Lucas apo Asensio do të bënin diferencën.

Dy ishin kërkesat e ish-teknikut të Spanjës gjatë merkatos së verës, një zëvendësues për Kovacic, i cili u largua tek Chelsea, dhe një sulmues të madh. Pas disfatës në Super Kupën e Evropës, drejtuesit afruan pikërisht Marianon, një futbollist i mirë, por jo ai që kërkonte Lopetegui.

Tek Reali ka krizë dhe kjo është më se e dukshme, ndaj edhe Florentino Perez duket se është gati të përdorë “dorën e rëndë” për të zgjidhur situatën. Ndërkohë, Antonio Conte dhe Arséne Wenger janë në pritje.