Kritikohet Vjosa Osmani: Thaçi shkoi, por propaganda dhe keqpërdorimet e stilit të tij kanë mbetë në presidencë

Zyrtari i PSD-së, Nol Nushi, është përfshirë në reagimet ndaj ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila i priti në zyrën e saj në Presidencë disa asamblistë që iu bashkuan listës së saj.

Nushi ka thënë se Osmani është e njëjtë me ish-presidentin Hashim Thaçi, por se i dallon vetëm llogoja dhe flamuri.

“Thaçi shkoi, por propaganda dhe keeqperdorimet e stilit te tij kane mbete ne presidencë.Nga qindra zyre e lokacione te mundshme, Vjosa paska zgjedhur zyren e presidences per te pritur 5 asambleiste te Ferizajit qe iu bashkuan asaj. Me siguri edhe keta te aderuarit jane çudite. Nuk ua ka marre mendja qe anetaresimi ne parti ndodhe ne zyre te Presidentit.Kemi president te njejte, tash me llogo e flamuj te ri”, ka thënë Nushi.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pothuajse e ka zyrtarizuar ndarjen prej LDK-së. Ajo do të duhet t’i shpallë zgjedhjet brenda pak ditësh, ndërsa ato mund të mbahen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.

Osmani edhe vetë do të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndërsa ka thënë se do të garojë me një iniciativë të sajën. Kësaj iniciative të enjten i janë bashkuar gjashtë asamblistë të LDK-së në Ferizaj. Ndoshta në mungesë të një zyre partiake, Osmani i ka pritur ata në zyrën e saj në Presidencë.

Hysnije Mustafa-Shamolli, Balton Dërguti, Ekrem Mustafa, Hesat Shatrolli, Burim Karameta e Ridvan Nebihu janë asamblistët që kanë shkuar dje në zyrën e Osmanit në Presidencë, për çështje krejtësisht partiake.