Kritikohet Ministria e Shëndetësisë: QMF’të në Prishtinë në mungesë të barnave esenciale

Komuna e Prishtinës ka ndarë më shumë se 90 mijë euro për sigurimin e disa barnave esenciale në QMF-të e Prishtinë.

Në këtë mënyrë qaset në sistemin menaxhues për sigurim të barnave.

Fatos Aliu kryeshefi i barnatores qëndrore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë tash e tre muaj po bën kërkesa për të siguruar barna esenciale për banorët e kryeqytetit.

Të gjitha këto kërkesa janë dërguar në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë.

E gjithë 232 lloje të barnave esenciale prej më të ndryshmeve janë pjesë e kësaj liste.

Derisa shihet me të kuqe se shumica janë “refuzuar” të sigurohen.

Aliu thotë për T7 se prej tërë kërkesave ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, shumë pak prej tyre janë aprovuar.

Ndërkaq në listë shihen edhe tri lloje të insulinës që mungojnë.

Aliu thotë se problematikë e madhe për gjithë banorët e Prishtinës është edhe kjo mungesë e insulinës.

Pikërisht për të kërkuar insulinë në QKMF u panë shumë qytetarë, kryesisht të moshuar.

Mirëpo ata u kthyen pa e marrë atë.

Ndërkaq Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës thotë se disa nga këto barna do të sigurohen nga buxheti i Komunës brenda kësaj jave.

Mirëpo shumica e medikamenteve janë për luftimin e virusit korona.

Gashi tregon që për t’i siguruar ato janë ndarë më shumë se 90 mijë euro.

Në anën tjetër të gjitha produktet shëndetësore që do të sigurohen nga komuna do të shpërndahen në të gjitha Qendrat Familjare në kryeqytet.