Kritika të ashpra Kurtit për reagimin e tij ndaj vrasjes së shtatzënës në QKUK

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për vrasjen e një gruaje shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Ai e ka quajtur vrasje mizore. Ndërsa ka shkruar se edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte.

“Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër”, ka shkruar Kurti.

Ky reagim i Kurtit nuk i ka pëlqyer aktivistes Zana Avdiu, ajo tha se kjo mendësi e kryeministrit i vret gratë.

“U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër”, reagon Kurti për vrasjen e gruas në QKUK

“Kryeminister qikjo mendesi vret. Qikjo mendesi i jep te drejta burrit, mbi gruan, mbi jeten dhe sigurine e saj.Pse nje burre po duhet me mbrojte gruan? Kjo eshte kur obligimet e shtetit, ua jep qytetareve burra! Jo z. Kryeminister, asnje burre nuk e mbrone gruan. Ky eshte vec justifikim, per me i mirembajte dhunen, shtypjen e vrasjet. Ate gru u dashte mi mbrojte shteti, jo burri i saj. Se qe qysh e mbrojti!”, shkroi ajo.

Reagimi i Kurtit po kritikohet edhe nëpër rrjetet sociale, pasi që ai përdori edhe fjali tjera që në këtë rast nuk janë me vend.

“Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, është fjalia e Kurtit që po kritikohet shumë.

Një grua ka mbetur e vdekur në oborrin e QKUK’së, para repartit te Gjinekologjisë. Dyshohet se është vrarë nga ish- burri i saj. Raportohet se gruaja ishte shtatzënë. /Demokracia.com/