Kritika ndaj qeverisë vetëm një ikje nga përgjegjësitë qytetare

Shkruan: Vahide Zejnullahu

Përgjatë gjithë këtyre viteve, vazhdimisht dijmë që ndaj çdo qeverisjeje të gjuajmë fjalë e kritika. Ato shpesh herë dijnë të jenë edhe më të vrazhda duke prekur edhe familjet e udhëheqësve shtetëror. Në rrafshin ndërkombëtar, shteti ynë pavarësisht të metave duhet të njihet ndryshe. Duke u nisur nga kjo e fundit, qytetarët duhet të reflektojnë e të mësohen të respektojnë qeveritarët, ta duan qeverinë e vendit duke u munduar që sadopak t’i kthehet prestigji legjislativit. Nëse vazhdojmë, me kritika të vazhdueshme e kundërshtime vend e pa vend, do të kemi një shtet të dobët të rënë në humnerë, pa një pozitë të fortë përpara syve të huaj.

Një fakti nuk mund t’i ikim asnjëherë. Administrata shtetërore çdo herë ndryshohet, e kjo do të thotë që herë pas here edhe kritikat i merr lumi. Shumë njerëz kur kritikojnë “Qeverinë”, i referohen ministrave dhe jo të gjithëve. Pra, e gjithë buja qenka për “disa” persona. Por, qeveria nuk formohet prej pak personave, e as kombi. A duhet që duke u marrë me pak persona, të harrojmë moralizmin dhe edukatën e gjithë popullit? A duhet që duke kritikuar “disa” persona që janë pjesë e qeverisë, ta lëmë të shuhet tek populli ndjenja e detyrës dhe përgjegjësisë personale? A është gjë e mirë të mirremi vetëm me kritika dhe të neglizhojmë punën tonë, të harrojmë se edhe ne kemi detyra dhe përgjegjësi të mëdha si popull. Ju do të më thoni se duke e kritikuar qeverinë e rrëzojmë atë, dhe duke e rrëzuar do të kemi fat të na vijë një qeveri më e mirë.

E para s’është fare e vërtetë që me kritika rrëzohet qeveria. E dyta nuk është fare e sigurt që pas qeverisë që është në fuqi ajo që e pason është më e mirë. Por kam një pyetje tjetër…Puna e mirë ose e keqe e qeverisë duket me veprat dhe sjelljet e nënpunsve. Me rrëzimin e Qeverisë, do të rrëzohen edhe ministriat, por a do të largohen edhe të gjithë nëpunësit tjerë? Dhe si mendoni ju, që ata të tjerët që do vijnë do të bëhen ekstra nga ndonjë fabrike “perfeksioni”… Me qenë se çdo send nga populli paska për të dalë, atëherë le të perpiqemi për moralizmin dhe përparimin e popullit, le t’ia nisim punës nga rrënja e jo nga dega sepse kritikat për qeverinë vetëm e shkarkojnë njeriun nga përgjegjësia dhe asgjë më shumë.

T’i dijmë detyrat dhe përgjegjësitë tona, të kemi një edukatë të lartë si popull, me qenë se nga populli do të dalin ministrat, deputetët, zyrtarët, ushtarët, oficerët, mjekët e gjithë të tjerët……

(Autorja është studente në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë)