Krimi mbi familjen Vuniqi, që s’u zbardh asnjëherë

Gjashtë anëtarë të familjes Vuniqi nga Blinaja e Lipjanit u vranë më 18 prill 1999 në Ribar të Vogël të Lipjanit, ku ishin strehuar gjatë luftës. Familjarët rrëfejnë për emisionin ‘Udhëve’ në RTK, momentet e rënda të masakrës që ka ndodhur në fshatin Ribar të Vogël.

Sa herë që vjen muaji prill, Shehrije Vuniqit i shtohet mërzija. Pikërisht këtë muaj, është përvjetori i rënies së gjashtë anëtarëve të familjes Vuniqi nga Blinaja e Lipjanit, të cilët, u vranë në masakrën e 18 prillit të vitit 1999 në fshatin Ribar të Vogël.  Shehrije Vuniqi, është një grua e heshur, që brenda saj mban vuajtjen e vrasjes së të birit Irfanit e vajzës Mirsades, që u ekzekutuan bashkë me bashkëshortin e saj Izetin, Kunatin Mehmetin dhe dy fëmijët e kunatit të saj, Kemajlin dhe Ganimetjen. Para se të vriteshin, këta por edhe disa banorë tjerë të Ribarit dhe fshatrave përreth, fillimisht u plaçkitën.

Shehrije Vuniqi, nëna dhe bashkëshortja e dëshmorëve, ka rrëfyer për emisionin “Udhëve”, në RTK momentet më të vështira të vrasjes së familjarëve, në sytë e saj dhe fëmijëve tjerë.  

‘Na jemi kanë tu u përgatitë me dalë me ikë, me marrë bukën me veti. Edhe kur jemi dalë jashtë ishin kanë prej s’largu t’u gjujt. Plumbat na bijshin në oborr, mos me mujtë e me dalë…’, tregon Shehrije Vuniqi, momentin kur forcat e ushtrisë e milicisë serbe hynë në shtëpinë ku këta ishin strehuar, në fshatin Ribar të Vogël të Lipjanit.

Nëna përshkruan momentin kur kishte parë se vajzës i kishte rënë plumbi në kokë

Shehrija përshkruan momentin e rëndë, kur kishte parë se plumbi kishte depërtuar në kokën e vajzës së saj, Mirsades, derisa burrat i kishin ndarë në tjetrën pjesë e ku po legjitimoheshin.

‘Qikat piskaten, thane oj nanë hajde se Sades (Mirsades – v.j.) vallai i ka ra t’lig… Unë tu piskat, o Izet, hajde se i mytën qikat. Kur shkova te qika, i lash ata hala pa i vra, veç letërnjoftimat i pashë që ua nxurrën. Qika ish kon ra përmystë. E rroutllova qikën. Kur pe shoh, plumbi e kish kapë në kokë, gjaku i kish shku në fytyrë. Sytë çelë i kish pasë, brit piskat… “,

Kur ishte kthyer tek bashkëshorti Izeti për t’i kërkuar ndihmë, e kishte parë se e kishin vrarë edhe atë bashkë me anëtarët tjerë të familjes.

Xhejlane Vuniqi është e bija e Izetit dhe Shehrijes e cila ka shpëtuar gjatë luftës. Kur i vranë babain, motrën, vëllain, axhën dhe dy fëmijët e axhës, ishte vetëm 14 vjeçare. Dhimbja e saj edhe sot është shumë e madhe për ngjarjet e ndodhura para 22 vitesh, ku u ekzekutuan pjestarët e familjes së saj.

‘Vëllau nuk e hiqke çantën e shkollës, ai kurrë shkollën s’e ka ndëpre. Në atë moment, ia kanë hjekë çantën dhe ia kanë gjuajtë dhe i thanë, ec ti me babën…’, transmeton emisioni ‘Udhëve’ në RTK.

Nëna e bart’te në rimorkio traktori kufomën e vajzës, derisa atë ia hodhën në ara

Një moment që nuk mundet t’a harrojë asnjëherë Xhejlane Vuniqi, është ai i vdekjes së vajzës së axhës, derisa nëna e të ndjerës, kujdesej që asaj t’mos ia digjnin kufomën dhe e bart’te me vete. Por, atë ia kishin hedhur në ara.

‘Xhenazën e patëm në traktor, ia banen ku pe le qikën, grujës së axhës… Ajo tha pe coj te kusheritë, se me kallë shpijen ma kallni edhe qiken. Por ata e gjujtën kufomën në ara’, rrëfen këtë moment të trishtueshëm Xhejlanja.

Haxhi Bajrami, është i vëllai i Shehrijes. Ai  tregon se si e kishte marrë lajmin për vrasjen e dhëndrrit, nipit dhe mbesës si dhe anëtarëve tjerë të familjes Vuniqi.  Ai përgjegjës për vrasjet në komunën e Lipjanit e bën Slavisha Dukiqin, i cili siç tregon Bajrami, një moment kishte provuar edhe ti frikësoj atë dhe familjarët e viktimave, derisa po shkonin për t’i vizituar varrezat e të vdekurve, duke gjuajtur me armë.

Askush asnjëherë familjen Vuniqi nuk e ka pyetur për krimin që ka ndodhur mbi civilët e pafajshëm në Ribar të Vogël. Familja janë të shqetësuar për drejtësinë ndërkombëtare, që siç thonë ata, s’bëri kurrë mjatueshëm presion mbi Serbinë, për zbardhjen e vrasjes së civilëve të vrarë në këtë masakër.