Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Diturije Deliun, që i kishte mbijetuar masakrës në familjen Deliu në Abri të Epërme por që kishte vdekur pas një muaji.
Kurti përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se Diturija sot do të festonte ditëlindjen e 25-të.
“Diturija është foshnja që fle. Përjetësisht. Kështu është përjetësuar në pllakën përkujtimore.” – ka shkruar Kurti.
Tutje, kryeministri Kurti ka thënë se krimet serbe në Kosovë, janë të paharruara dhe të pafalshme.
Shkrimi i tij plotë:
Diturije Deliu do të festonte sivjet ditëlindjen e 25-të.
Ishte e vetmja që i mbijetoi masakrës së 26 shtatorit 1998. I kishte gjashtë javë. Forcat e armatosura serbe ia masakruan 22 anëtarë të familjes.
Ajo u gjetë e gjallë. Fshehur nën trupin e nënës Lumnije. Nënës mburojë.
E mbijetuara e masakrës në Abri të Epërme nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor, rrugës për në fshatin Tërdec, gjersa gjyshi i saj, Bajram Fejza dhe halla e saj, Bedrie Deliu Fejza, po e dërgonin për në spitalin ushatarak të UÇK-së.
I kishte vetëm 95 ditë.
Diturija është foshnja që fle. Përjetësisht. Kështu është përjetësuar në pllakën përkujtimore.
I përjetshëm është kujtimi për të.
Të paharruara e të pafalshme janë krimet e Serbisë në Kosovë.






