autopsia

Krimet e Rënda marrin vendimin, Kaçifas nuk varroset derisa të mbyllet autopsia e plotë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë vendimin për fatin e hetimit të ngjarjes së ndodhur të dielën, ku mbeti i 35 vjeçari grek Kostandinos Kaçifa.

Trupi i homogjenit grek nuk do të varroset derisa të përfundojë një autopsi e plotë nga një grup ekspertësh të ngritur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Vendimi vjen pas një sërë polemikash në lidhje me vdekjen e grekut. Familjarët e Kaçifas kanë kërkuar që trupi i tij të shikohet nga një ekspertizë greke, një kërkesë që nuk është lejuar nga pala shqiptare pavarësisht arritjes së një mjeku grek në fshatin Bularat të Gjirokastrës.

Mbrëmjen e djeshme trupi i të riut ka ardhur në Tiranë dhe tashmë pritet të nisë ekspertiza për të hedhur dritë dhe shuar çfarëdolloj hije dyshimi në lidhje me vdekjen e Kaçifas.

Nga ana tjetër, avokati grek i familjes Kaçifa foli ditën e djeshme në një deklaratë para medias, duke thënë se eksperti grek e ka parë trupin për vetëm 5 minuta dhe nga ajo që ka vërejtur ka konstatuar se plagët e shkaktuara nga plumbat e RENEA-s ishin qepur dhe trupi ishte i larë. Sipas tij ka dyshime se pala shqiptare kërkon të fshehë të vërtetën.

Ndërkohë kunati i 35 vjeçarit ka folur këtë të mërkurë për median greke duke thënë se ai është qëlluar nga forcat RENEA teksa po dorëzohej dhe mbante duart lart.