Milan Mojsiloviq

Kreu i ushtrisë serbe takon komandantin e KFOR-it, nuk kërkon falje për lëndimin e ushtarëve ndërkombëtarë në veri

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, ka pritur sot për një vizitë lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angel Mikele Ristuca, dhe në takim është vlerësuar se situata në Kosovë është ende e paqëndrueshme, transmeton Ballkani.info.

“Bashkëpunimi profesional i Ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it në të gjitha nivelet në periudhën paraprake kishte për qëllim uljen e tensionit në terren dhe parandalimin e përshkallëzimit të krizës, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Mojsiloviq e falënderoi Ristucën, i cili muajin e ardhshëm do ta dorëzojë pozitën e komandantit të forcave ndërkombëtare në Kosovë, për bashkëpunimin korrekt dhe përkushtimin personal për krijimin e një ambienti të sigurt në Kosovë dhe i uroi suksese në detyrat e reja”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe nuk përmenden askund sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan dhe plagosja e shumë prej tyre nga serbët e nxitur pikërisht nga Serbia dhe pushteti atje.

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave, kishte konfirmuar se nga eskalimi i gjendjes në veri më datën 29 maj u lënduan 30 ushtarë, ku 19 prej tyre ishin nga kontigjenti hungarez. /Ballkani.info/