Kreu i Republikanëve francezë thotë se “fatkeqësisht” në qershor çelen negociatat për Shqipërinë

Ajo që pritej ndodhi. Çështja e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe sidomos hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po përdoret për kapital politik në Francë.

Ish-ministri francez i Çështjeve Evropiane, Laurent Wauquiez, në qeverinë e François Fillonit në vitet 2010 dhe 2011 nga një mbështetës i zgjerimit, është kthyer në një kundërshtar të tij.

Sot kreu i Partisë Republikane të Francës, Wauquiez, akuzon presidentin Emmanuel Macron se po punon për zgjerimin e Bashkimit Evropian, shkruan Oranews.

Gjatë një interviste për Franceinfo, Wauquiez, garanton se në qershor do të çelen negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

“Presidenti i Republikës propozon anëtarësimin e Shqipërisë. Unë mendoj se ky është një gabim i rëndë. Është një shtet i njollosur nga korrupsioni. Negociatat me Shqipërinë do të hapen në qershor, por ne do ta kundërshtojmë këtë me veto”, tha Wauquiez gjatë intervistës.

Pikërisht për të shmangur qëndrime të tilla radikale nga euroskeptikët, udhëheqësit kryesorë të BE-së, mes tyre Merkel dhe Macorn, nuk pëlqyen ta trajtojnë çështjen e hapjes së negociatave gjatë samitit të Berlinit, duke e shtyrë vendimmarrjen pas zgjedhjeve evropiane të fundmajit apo në vjeshtë.

Në intervistën e tij, kreu i Partisë Republikane të Francës, thotë gjithashtu se zgjerimi është një gabim dhe një prej shkaqeve kryesore të dobësimit të bllokut.

Brukseli ka hasur probleme me shtete si Polonia, Hungaria, Rumania dhe Kroacia, anëtarësimi i të cilave tani pas shfaqjes së problemeve konsiderohet i parakohshëm.