Krerët e LDK-së në darkë me udhëheqësit politikë të Luginës, dalin me thirrje të përbashkët

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, bashkë me nënkryetarin e partisë, Lutfi Haziri, kanë pritur të mërkurën në një darkë pune udhëheqësit dhe liderët institucionalë të shqiptarëve të Luginës.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook, se nga ky takim dolën me apel të përbashkët për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Luginë, Kosovë e mërgatë që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në tri komunat shqiptare: Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Së bashku me kryetarin e PVD-së dhe deputetin, z. Shaip Kamberi; kryetarin e Alternativës për Ndryshim dhe kryetarin e Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi; kryetarin e PD-së dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Nagip Arifi; kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafi; kryesuesin e Kuvendit Komunal në Preshevë, z. Sami Salihu; kryetarin e LPD-së z. Shqiprim Musliu; kryetarin e AFEDS, z. Muharrem Salihu; dhe kryetarin e VATRA-s, z. Kushtrim Kadriu – biseduam mbi gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku është zotuar se LDK-ja do të angazhohet me të gjitha kapacitetet politike në unifikimin e spektrit politik shqiptar në çështjet me interes kombëtar.

Regjistrimi i popullsisë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ka filluar më 1 tetor dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.

Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, u kanë bërë thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në këtë proces.