Ambadadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është pritur në një takim zyrtar nga kryetari i qytetit të Pullës në Zagreb, Filip Zoriçiq, shkruan Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook të Ambasadës së Kosovës në Zagreb, përveç falënderimeve për mikpritjen, diplomati kosovar nuk përtoi të thurë disa lëvdata edhe për vetën. Në postim thuhet se ambasadori Berishaj për një kohë të shkurtër e bëri Kosovën të dukshme në shtetin kroat.
“Në takimin shumë miqësor kryetari i Pullës Dr. Zoriçiq shprehu kënaqësinë që e pret ambasadorin e shtetit mik të Kosovës në Kroaci, i cili diplomat tashmë për nje kohë të shkurtër e bëri Kosovën të dukshme në hapësirën kroate”, thuhet në postimin e ambasadës.
Postimi i plotë:
Dr. Filip Zoriçiq, kryetar i qytetit te Pullës priti në një takim zyrtar ambasadorin e Kosoves Prof.Dr. Martin Berishaj.
Në takimin shumë miqësor kryetari i Pullës Dr. Zoriçiq shprehu kënaqësinë që e pret ambasadorin e shtetit mik të Kosovës në Kroaci, i cili diplomat tashmë për nje kohë të shkurtër e bëri Kosovën të dukshme në hapësirën kroate.
Qyteti i Pullës shtoi ai, është i hapur për bashkëpunim me Muzetë dhe Institucionet e trashigimisë kulturore, si dhe ministrin e kulturës dhe sportit në Kosovë, e lidhur me projekte të cilat kanë të bëjnë me bartjen e praktikave të vlefshme për rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.
Prof.Dr. Berishaj, përzemërsisht u faleminderua për përkujdesjen që qyteti i Pullës bën për komunitetin shqiptar që jeton dhe punon aty, si dhe për mundësinë lidhur me përkrahjen që Dr. Zoriçiq ofron duke shtuar se ambasada e Kosovës së shpejti do të organizojë vizitë të kryetarëve të: Dubrovnikut, Splitit, Zarës, Pullës dhe Shibenikut në Kosovë. Ambasadori Prof.Dr. Berishaj u shpreh se Kosova e mirëpret këtë mbështetje, sepse fryma e bashkëpunimit dhe realizimi i iniciativave të tilla ngrit vlerat e trashëgimisë kulturore në Kosovë.







