Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por janë veçse “mjete ligjore të buta” që rëndom përcaktohen si “rregulla të sjelljes, që, në parim, nuk prodhojnë detyrim ligjor por që megjithatë mund të kenë ndofarë efekti praktik”. Pra njëfarë “jashtëqendërsie ligjore” ku shprehen pikëpamje ose qëndrime për një çështje të caktuar thjesht si “udhëzues politik”.
Ndërsa tërë pritshmëritë në takimin me “Pesëshen e Madhe” diplomatike euro-amerikane, Qeveria e Kosovës i kishte vendosur në një Rezolutë të Parlamentit Evropian të miratuar ditëve të fundit ku dënohet ashpër Serbia për “rolin e saj të dëmshëm” në ngarjet e sulmit paramilitar dhe terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Jeton Zulfaj, këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Rezolutën e PE-së e kishte marrë me vete në KTV për ta cituar sikurse Bibël për pozicionin e Kosovës dhe ku e investonte tërë qëndrimin e tij para intervistuesit – të ciliat edhe ia ekzagjëronte për nga pesha, përmbajtja, e më së tepërmi për nga fuqia.
Zulfaj, ish-këshilltari i Fatmir Limajt, i njohur edhe për një ese ku proklamonte Nisma-n e Limajt si një diçka që Kosovës i duhej me doemos dhe si platformën më solide politike në vend, ishte armatosur me disa paragrafe të kësaj Rezolutës së PE-së me të cilat pandehte se të nesërmen, kur të vinte “Pesëshja e Madhe” do t’i shërbente për t’ju kërkuar “qasje të re” dhe “balancim”.
Tashmë këshilltar i Kurtit (dhe kopje sonike e tij), Jeton Zulfaj, iu kthye intervistuesit Eraldin Fazliu, se “nuk e di” çka sjellë e nesërmja me “Pesëshen”, por ama di diçka tjetër.
I tha që prej 24 shtatorit situata është ndryshe; dhe tash 24 shtatori për bashkësinë ndërkombëtare duhet të jetë jo vetëm “pikë reflektime” por edhe “pikënisje”.
Pra, nisje e re, sipas Zulfajt: duhet “qasje të re”, tha ai.
E këtu e nxorri Rezolutë si formë ungjilli për këtë “qasje të re”; rezolutën ligjërisht të padetyrueshme të PE-së.
“Po ua citoj Rezolutën e Parlamentin Evropian. Ku thuhet që në dritën e asaj se çfarë ka ndodhur na duhet një balancim; një qasje që e sjellë balancimim në dialog”, tha Zulfaj me lëvizje dhe lëkundje të trupit si të Kurtit.
E këtu ai u mëshoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian se “vetëm me një email të qarkulluar” dhe “me lehtësi” vendosën masa ndaj Kosovës; ndërkaq ndaj Serbisë “po e kanë të vështirë” pavarësisht “provave” në përfshirjen në sulmin e Banjskës.
Pastaj, thotë se Serbia kredibilitet më në dialog duke cituar Rezolutën në anglisht “as a result of its harmful role”.
Madje, Zulfaj duke investuar tërë argumentet e tij në këtë Rezolutë ligjërisht të padetyrueshme të Parlamentit Evropian, i tha Fazliut se “Mos të harrojmë se me reformën e re Parlamenti Evropian do të jetë edhe më i fuqishëm” kësisoji duke investuar shpresa në të ardhmen për një “fuqi” të mundshme të PE-së; teksa fuqia reale që e ka sanksionuar vendit nuk i futet në horizont.
“Nuk do të ishte kjo gjuhë po të mos ndahej ndjesia jonë që ne e kemi shfaqë ndaj lehtësuesve (Josep Borrell, Shef i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së dhe Përfaqësuesit Special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak) që nuk është aspak e balancuar”, shprehet më tej ish-Këshilltari i Limajt.
“Pra doli që nuk janë vetëm shqetësime që i ndan Kosova, por që i ndan edhe një institucion i lartë i Bashkimit Evropian. Nganjëherë krijohet përshtypja se vetëm Kosova po ankohet për trajtimin e pabarabartë, dhe tash kemi gjuhë të qartë të deputetëve të PE, mos harroni vendimmarrja është e përbashkët”, shtoi ai.
Por, derisa te Eraldin Fazliu citon Rezolutën ligjërisht të padetyrueshme të nesërmen “Pesëshja e Madhe” diplomatike ia citon shefit të tij Marrëveshjen Bazike ligjërisht të detyrueshme dhe nga e cila varet si e ardhmja evropiane e Kosovës dhe konsolidimi i shtetësisë së saj.
Pesëshja, përmes duarve, ia bënë të qartë se Miroslav Lajçak gëzon mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës, Italisë, BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe në këtë kërkesë “pa vonuar dhe menjëherë” kërkuan themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.
Me që jemi këtu, Rezoluta në të cilat i kishte varur shpresat Zulfaj kërkon gjithashtu edhe që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, pjesë këtë të Rezolutës që Zulfaj nuk e citon.






