B.M, 47 vjeçar ka vdekur pas të shtënave me armë zjarri dje në fshatin Baks të Komunës së Skenderajt, të plagosur kanë mbetur edhe dy të tjerë. Mediat kanë raportuar se ngjarja tragjike ndodhi si pasojë e një konflikti që palët kishin mes vete, ata kanë qenë kushëri.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar lidhur me rastin, si dhe një tjetër është duke u trajtuar nga mjekët, por nën përcjelljen e Policisë, pasi dyshohet se është i përfshirë në rast.

Policia njoftoi se në dy lokacione janë sekuestruar një armë automatike AK-47 dhe një pushkë gjuetie.

Njoftimi i plotë:

Komunikatë për media

Vrasje e rëndë

Skenderaj, 23 Korrik 2022

Sot më, 23 Korrik 2022, policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna  me armë zjarri në  fshatin Baks të Skenderajt Me të pranuar informacionin, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë  të gjitha njësitet kompetente policore.

Nga  informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se në rast ishin përfshirë disa persona, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri tre persona ishin të plagosur. Dy persona ishin dërguar për tretman mjekësor në QKMF-Skenderaj, ku njëri prej tyre si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit  kishte humbur jetën dhe mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij ndërsa i plagosuri tjetër është transferuar për tretman mjekësor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) në Prishtinë.  

Ndërkohë policia është njoftuar se një person tjetër kishte kërkuar tretman mjekësor në QKMF në Drenas dhe pas trajtimit fillestar mjekësor, në shoqërim të policisë është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në SHSKUK dhe është nën përcjelljen e policisë pasi që sipas informatave fillestare mund të jetë i dyshuar potencial në këtë rast. Gjithashtu është arrestuar edhe një person tjetër dhe do të intervistohet në cilësinë e personit të dyshuar për përfshirjen në këtë rast.

Njësia e hetimeve Rajonale ka kryer bastisje në dy lokacione dhe ka sekuestruar dy armë: një armë automatike AK-47 dhe një pushkë gjuetie. Njësia e Hetimeve Rajonale së bashku me prokurorin e shtetit janë në vendin e ngjarjes ku është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet  e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.