Krasniqi: VV menaxhon mbi 1 milion euro buxhet nga shteti, njerëzit e saj po enden me mercedes e truproja

Deputeti i Partisë Social Demokrate, Frashër Krasniqi iu është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendose, Liburn Aliu i cili sipas tij ka deklaruar se largimi i deputetëve të Vetëvendosjes dhe kalimit në PSD paska qenë bereqet për Lëvizjen.

Sipas Krasniqit, Liburn Aliu dhe të tjerët është mirë t’i presin zgjedhjet pasi sipas tij mbase u kanë sjellur bereqet por sondazhet po flasin që VV nga partia e parë ka dalur në partinë e tretë.

Gjithashtu Krasniqi i ka përkujtuar Aliut se Vetëvendosje menaxhon 1.2 milion euro buxhet (vetëm nga buxheti i shtetit) dhe se është parti e pasur.

Krasniqi ka përkujtuar se sot, disa prej Lëvizjes Vetëvendosje , në veçanti kryetari enden me mercedes dhe kanë nga 3 truproja.

Postimi i plotë:

Liburn Aliu e konfirmoi vetë, pa ia kërkuar askush që protesta e VV qenka organizuar për afirmim të VV dhe kundër PSD-së. Shiheni se si sa herë që po flasin për protestën, këtë e bëjnë në kontekst të sulmit ndaj PSD-së dhe afirmimit të VV-së, dhe jo për ta sulmuar Thaçin kundër të cilit mashtruan se po e thërrasin protestën.

Unë nuk e di për cilën mbështetje po flet Liburni, por është mirë t’i presim zgjedhjet. Mbase ju kemi sjellur bereqet, por sondazhet po flasin që VV nga partia e parë ka dalur në partinë e tretë. Nga 32 deputetë, ka mbetur me 19. E për votat e PSD, prap le ti presim zgjedhjet. Do të zhgënjeheni edhe në këtë rast.

Kur Liburni thotë se largimi ynë paska qenë bereqet për VV, kjo tregon atë që e thonim ne para se venosëm të largohemi: VV nuk na deshi neve aty. Sepse Albin Kurti nuk deshi mendim kritik.

Dhe krejt në fund, për hipokrizinë e pagave:

Liburn Aliu, mos harro që VV sot menaxhon me 1.2 milion euro buxhet (vetëm nga buxheti i shtetit). Pra është parti e pasur. Dhe po, një pjesë e aktivistëve që kemi dalur, kemi marrë paga nga VV, por sot ju, si hipokritë që jeni, le që nuk i keni ulur pagat por keni punësuar njerëz me paga saktësisht të njëjta. Sot, disa prej jush, e në veçanti kryetari, endeni me mercedesa dhe keni nga 3 truproja.