Anëtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi, ka kritikuar ashpër Vetëvendosjen dhe kryetarin Albin Kurtin, për rastin e aktivistit të ndjerë të VV-së, Astrit Deharit.
Krasniqi, përmes një videoje, ka thënë se Kurti dhe Vetëvendosja, janë, siç e ka quajtur ai, ushujzat e gjakut të Deharit, dhe se as Kurti dhe as partia që ai udhëheq nuk duan drejtësi për Deharin.
“Kta dojnë veç me përdor Astritin sepse Albin Kurti dhe Vetëvendosja janë ushujzat e gjakut të Astrit Deharit. Këta nuk dojnë drejtësi për Astritin sepse përndryshe kishin vepruar najsen. Sen nuk kanë bë që 1 vjet për këtë punë”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, ai shton se Vetëvendosja, siç pretendon Krasniqi, ka shpifur dhe ka gënjyer vazhdimisht rreth rastit të Deharit.
Tutje, anëtari i PSD-së, ka thënë se Kurti asnjëherë më parë nuk ka folur për rastin e Deharit, deri në momentin kur Kurti ka pasur mundësi të përdor rastin e tij në aspektin elektoral.
“Kur filloi Albin Kurti me fol për Astrit Deharin, vetëm pas vdekjes së tij. Pra vetëm pasi rasti i Astrit Deharit u bë i përdorshëm elektoralisht për Albin Kurtin”, ka shtuar ai.
Po ashtu ai e ka kritikuar Kurtin, duke thënë se ky i fundit nuk ka bërë asgjë për rastin e ish-anëtarit të VV-së, prej se Kurti ka marrë pushtetin para më shumë se një viti.
“A në momentin që ka ardhë në pushtet, i ka fituar 50% të votave, ka hy në qeveri, tash i ka më shumë se 1 vit qeverisje, asnjë fjalë më për Astrit Deharin, përpos naj homazhi ose naj rasti përkujtimor. Asnjë veprim për më çu drejtësinë në vend për Astrit Deharin”, ka vazhduar anëtari i PSD-së.
Krasniqi, ka sfiduar të gjithë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, që ta gjejnë të paktën një deklaratë të Kurtit dhënë rreth rastit të Deharit, gjatë kohës sa ky i fundit ka qenë i arrestuar.
“Unë i sfidoj cilindo militant të Vetëvendosjes, edhe ata që kanë me shkru komente në këtë video, le të hijnë le t’ma gjejnë veç një deklaratë të Albin Kurtit prej datës 30 gusht deri më 5 nëntor 2016 ku e denoncon arrestimin e padrejtë të Astrit Deharit, unë tërhiqem nga politika”, ka shtuar Krasniqi.






