Krasniqi: Pas shpërbërjes së Kuvendit, presidenti ta caktojë sa më shpejt datën e zgjedhjeve

Shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se të gjithë përfaqësuesit e partive politike janë pajtuar për 22 gushtin, si datë kur do të mblidhen për ta shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Krasniqi thotë se pas shpërndarjes së Kuvendit, presidenti i Kosovës, duhet të caktojë sa më shpejt të jetë e mundur datën për zgjedhjet e reja në koordinim më partitë politike dhe në përputhje me afatet kushtetuese.

“Patën një dakordim të plotë me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Presim që gjithë deputetët të jenë prezent, ashtu që ky dakordim për të shkuar në zgjedhje të merr vulën institucionale”, ka thënë ai, raporton Express.

Krasniqi thotë se duke caktuar datën e zgjedhjeve do të hapet rrugë për krijimin e një qeverie që do të marrë legjitimitet qytetar dhe do të çojë përpara proceset që kanë mbetur pa u përfunduar.

“Ne besojmë që menjëherë pas shpërndarjes presidenti në pajtim me partitë të veprojë, duke caktuar sa më shpejt që është e mundur, brenda afateve kushtetuese, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që të krijohet hapësirë për krijimin e një qeverie legjitime, që do të çojë përpara procese që për fat të keq kanë mbetur pezull”, ka thënë ai.

Kjo mbledhje e Kryesisë së Kuvendit për të shpërndarë Kuvendin, vjen pas përgjigjes që Kadri Veseli i ka kthyer Hashim Thaçit, duke thënë se si koalicion PDK-AAK-Nisma nuk kanë ndonjë mandatar tjetër për kryeministër.

Thaçi ka provuar të arnojë këtë Qeveri, duke provuar ta zëvendësojë Haradinajn.

loading…