Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar të premten në Shalë e Gadime të Lipjanit. Ai bëri të ditur se bashkë me kandidatin për kryetar, Hyzer Rizani, shpalosën programin e PDK-së për qeverisje në Lipjan.

“Lipjani si qytet i përqendruar në qendër të Republikës së Kosovës, që lidhet drejtpërdrejtë me kryeqytetin, për fat të keq, viteve të fundit ka njohur vetëm stagnim dhe degradim. Kjo është e pafalshme për ata që kanë qenë në krye të kësaj komune.” shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.

Sipas tij Lipjani ka nevojë për qeverisje të mirë dhe transparente, të cilën nga 17 tetori do t’ia sjellë PDK-ja me kryetarin Hyzer Rizanin.

“Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës është më se e vendosur për t’u rikthyer e për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes, për t’ia ndërruar Lipjanit profilin dhe për ta nxjerrë atë në tjetër nivel. Këtë do ta bëjmë të mundur me kryetarin Hyzer Rizani, një njeri i përkushtuar për komunitetin dhe qytetin, i cili do ta shndërroj Lipjanin në qytet kampion në hartën zhvillimore të Kosovës.”