Krasniqi Kurtit: Raporti me SHBA është i shenjtë, vallai s’të lejojmë me rreziku

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i është drejtuar Kryeministrit Albin Kurti me një fjalim në seancën e jashtëzakonshme, të thirrur për të folur rreth zhvillimeve në veri dhe përkeqësimit të raporteve të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë amerikane.

Krasniqi përmendi përjashtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga stërvitjet e përbashkëta me NATO-n dhe i tha Kurtit se për shkakun e tij, ushtarët kosovarë i larguan nga këto ushtrime të rëndësishme për të.  

“Ti çka ke arrit është ndëshkimin e Kosovës prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo tëndin. Tek e fundit me qenë përgjegjësia veç e jotja personale, punë e madhe. Por, Kosovën je duke e përfaqësu”, ka thënë Krasniqi.

“E kanë përjashtu ushtrinë prej stërvitjeve më të rëndësishme të NATO-s dhe të Amerikës, ‘Defender Europe 2023’”, ka thënë tutje ai.

Kreu i PDK-së i ka përmendur edhe ndëshkimet e tjera, që i ka deklaruar ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, të martën për Kosovën.

“Del Qeveria amerikane konkretisht të thotë se nuk të ndihmojmë më për njohje, për integrim evropian. T’i kanë anulu krejt vizitat zyrtare në Amerikë, për herë të dytë”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Krasniqi i tha Kryeministrit se nuk do ta lejojnë t’i dëmtojë raportet më tutje me SHBA-në dhe e ka krahasuar qasjen e tij karshi Amerikës, me qasjen e diktatorëve nëpër botë.

“Raporti i jonë me SHBA-në është i shenjtë, more. Nuk mundesh me rrezi. Vallahi nuk të lejojmë me rreziku, se është ekzistencial”, ka thënë Krasniqi.

“Sovranitetin qysh do me e shtru në Leposaviq, kundër Amerikës, kur ata po ta kërkojnë një veprim tjetër? Po ti sovranitetin nuk mund ta mbash, n’daq me ditë, as në zyrën tënde, po mos ta kesh përkrahjen e Amerikës”, i ka thënë Krasniqi, kryeministrit Kurti.