Krasniqi: Kurti në vend të talljes duhet ta nis procesin për Marrëveshje Themeltare me Kishën Ortodokse

Profesori universitar, Milazim Kasniqi, e ka quajtur tallje dhe ofendim të inteligjencës së publikut nga kryeministri Albin Kurti komunikatën e Zyrës së Kryeministrit në të cilën jepet lajmi se kryeministri i Kosovës ia ka lejuar vizitën në Kosovë kreut të Kishës Ortodokse serbe vetëm pas kërkesës së ministrit Nenad Rashiq.

Krasniqi thotë se Rashiqi ka qenë ministër edhe herën e parë kur Porfirijes iu refuzua vizita.

“Nganjëherë më pëlqen mënyra se si tallet Kurti me publikun. Nuk i bën hesap për njerëz. Ua fyen intelegjencën. E tillë është edhe deklarata e sotme se gjoja e lejoi hyrjen e patriarkut serb, Porfiries, për dëshirën e ministrit Rashiq. Po të ishte për dëshirën e tij, Rashiqi ka qenë ministër edhe kur i është refuzuar hyrja patriarkut serb dhe jam i bindur se ai nuk ka qenë për ndalesë. Po në atë rast Kurti nuk ia ka pyetur dëshirën Rashiqit”, ka shkruar profesori Krasniqi.

Ai tutje shton se refuzimi i vizitës së Porfirijes ka qenë një gabim trashanik dhe se për një gjë të tillë ankesat kanë shkuar deri në Shtëpi të Bardhë.

“Ama refuzimi i asaj vizite ka qenë gabim trashanik. Ankesat kanë shkuar deri në Shtëpinë e Bardhë. Realisht, nuk ka logjikë t’i refuzohet patriarkut serb hyrja në Patriarkanën e Pejës, e cila është pronë e Kishës Ortodokse Serbe”, ka potencuar Krasniqi.

Ai tutje thotë se në vend se Kurti të merret me gjëra të tilla, ai duhet ta nis procesin e arritjes së një marrëveshje “Themeltare” ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Kishës Ortodokse, marrëveshje që sipas Kransiqit do të duhej të adresohej qysh në procesin e Vjenës.

“Në vend se të provokojë këso skandalesh, Kurti duhet të nis procesin e arritjes së një Marrëveshjeje Themeltare ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe. Kjo është detyra e tij si kryeministër. Në fakt, ajo punë është dashur të adresohej në Procesin e Vjenës, po nuk është adresuar”, shton tutje.

Krasniqi ka kritikuar ish-negociatorët e Vjenës së kanë shkuar atje më shumë si turisë sesa si negociatorë dhe thotë se sipas Planit të Ahtisarit Kisha Ortodokse në Kosovë vepron njëjtë sikurse në Serbi pa obligime specifike ndaj Kosovës.

Profesori universitar tutje thotë se Qeveria duhet të negociojë me Kishën Serbe për të korrigjuar gabimin që është bërë më herët.

“Meqë nuk është adresuar, nga ata që më shumë kanë shkuar atje si turistë sesa si negociatorë, me Planin e Ahtisarit Kisha Serbe vepron në Kosovë gati njësoj si në Serbi, pa obligime specifike ligjore ndaj Kosovës si shtet. Prandaj, për ta korrigjuar atë gabim që është bërë më herët, në vitet 2006-2007, tash qeveria duhet të negociojë me Kishën Serbe. Pra, me Kishën e jo me shtetin e Serbisë.

Në këtë kontekst, rritja e mirëbesimit dhe ofrimi i garancioneve të sigurisë është parakusht për të arritur marrëveshjen e dëshiruar. Kjo duhet të jetë rruga. Jo tallja se gjoja patriarku lejohet të hyjë në Kosovë në bazë të dëshirës së një personi. Ama ka budallenj që e besojnë atë deklaratë të Kurtit, madje ka shumë. Mirë ua bën që tallet me ta. E meritojnë. Por ai duhet të ndalojë e të mos e dëmtojë më tutje veten dhe shtetin me aso veprimesh. Nëse nuk ndalon, e ndalojnë të mëdhenjtë, siç në të vërtetë është rasti me lejimin e vizitës së patriarkut serb. Hilli tha të mos përsëritet ndalimi. Pra, dëshira e Hillit u plotësua, jo e Rashiqit.

Do të duhej të plotësohej interesi shtetëror, që në fillim. Brenda atij interesi shtetëror akomodohet edhe dëshira e Rashiqit edhe dëshira e Hillit. Pra, që Kosova të jetë shtet demokratik, me liri të plotë të lëvizjes, me respektim të plotë të lirive kombëtare e fetare”, ka përfunduar profesori Milazim Krasniqi.