Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar qeverinë në detyrë për shfrytëzim të mekanizmave shtetërorë me qëllim që të mposhtin kandidatin e PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahirin.
Në një intervistë në “Rubikon” të Klan Kosovës, Krasniqi tha se në Mitrovicë ka ndodhur diçka e paprecedentë, ku sipas tij, është keqpërdorur pushteti dhe autoriteti institucional në favor të kundërshtarëve politikë, transmeton Klankosova.tv.
“Në Mitrovicë ka ndodhur diçka e paprecedentë. E para është keqpërdorur pushtetit dhe autoriteti, e institucioni shtetëror në garë kundër një partie politike, dhe kundër një kandidati, këtë rast, Arian Tahirit. Ka ndodhur diçka, që unë asnjëherë nuk e kam pa, të paktën në një shtet normal demokratik, ku kryeministri me ministra e deputetë, deri në organet e drejtësisë, e krejt atë mekanizimin institucional e ka shfrytëzuar për t’u munduar me e mposht një djalë të ri në Mitrovicë”, u shpreh Krasniqi.







