Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kryeministrit në largim për të ndarë 26 milionë euro për studentët, përmes pagesës prej 100 eurosh për secilin, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve.
Krasniqi e ka quajtur këtë veprim si përpjekje të hapur për blerje të votave, duke theksuar se qeveria aktuale ka dështuar në qeverisje gjatë katër viteve të fundit dhe ka degraduar sistemin arsimor.
“Ky nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote. Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten,” ka deklaruar ai.
Kryetari i PDK-së u ka bërë thirrje studentëve që të marrin këto mjete, pasi sipas tij janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën për ta ndëshkuar kryeministrin në largim, të cilin e akuzon se ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit.







