Ministri i Pushtetit Lokal

Krasniqi: Ka kaluar koha kur bandat kriminale frikësonin Republikën me sulme

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se ka kaluar koha kur bandat kriminale kanë frikësuar Republikën e Kosovës me sulme, pasi të premten iu dogjën dy lokale nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

Sipas Policisë, Tomaniq ka thënë se zjarri ndaj lokaleve në qendër të Zveçanit i është vënë qëllimisht. Ka përmendur Listën Serbe dhe “Brigadën e Veriut” si kryes të këtij sulmi.

Në një status në Facebook, Krasniqi e ka dënuar aktin nga “grupet kriminale” në Zveçan.

“Grupet kriminale në Zveçan vazhdojnë me sulme dhe terror, kësaj radhe cak i tyre ishte dyqani privat i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Si institucione shtetërore e dënojmë këtë akt dhe ju ofrojmë mbështetje qytetarëve nga komuniteti serb në luftën tonë të përbashkët kundër grupeve kriminale”, ka shkruar ai në Facebook.

Nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, i janë djegur dy lokale të cilat ndodhen ngjitur me njëri-tjetrin në qendër të Zveçanit. Rasti ka ndodhur në orët e para të së premtes.

Ministri gjithashtu ka përmendur edhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të caktuar 21 prillin si datën për votimin e largimit të kryetarëve në veri, duke shtuar se gatishmëria për realizimin e vullnetit qytetar “do të vazhdojë në përputhje me Kushtetutën”.

“Gjithashtu, sot KQZ ka caktuar datën 21 prill për votim për largimin e kryetarëve nga funksioni në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, bazuar në afatet kohore të përcaktuara me udhëzimin administrativ. Gatishmëria jonë për realizimin e vullnetit të qytetarëve do të vazhdoj në përputhje me kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, ka kaluar koha kur bandat kriminale frikësonin Republikën me sulme. Vullneti qytetar do të respektohet ndërkohë që krimi do të ndëshkohet dhe nuk do të tolerohet”, ka shkruar tutje Krasniqi.