Krasniqi i shkruan letër Kurtit: Reagim urgjent dhe front i përbashkët për ta ndalur hovin e kobshëm të pandemisë, Kuvendi t’i ndërpresë pushimet

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka dërguar sot një letër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, përmes së cilës ai i shpreh shqetësimin për gjendjen e rëndë të pandemisë dhe mungesën e një menaxhimi efikas.

Në letrën e tij, lideri i opozitës ka shprehur kërkesën dhe gatishmërinë e PDK-së që deputetët e Kuvendit të Kosovës të ndërprejnë pushimin dhe t’i kthehen mënjëherë punës për të gjetur mundësi të mbeshtetjes për qytetarët në këto kohë të vështira.

“Duke parë që nuk janë bërë planifikimet e duhura gjatë rishikimit të Ligjit për Buxhetin për ta trajtuar pandeminë, PDK e konsideron të domosdoshëm ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të domosdoshme ndërprerjen e pushimeve dhe kthimin e menjëhershëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe është e gatshme që të përshpejtojë marrjen e vendimeve për tejkalimin e kësaj tragjedie”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjera. Ai ka bërë me dije, se për këtë do të bisedojë edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Na duhet një front i përbashkët, e jo një luftë e brendshme politike, për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve”, ka thënë Krasniqi në postimin e tij në Facebook.

Më poshtë letra e plotë e kreut të PDK-së, Memli Krasniqit dërguar kryeministrit Kurti:

I nderuar Kryeministër, Kosova po kalon nëpër një tragjedi dhe qytetarët me të drejtë janë në ankth për veten e familjet e tyre. Humbjet e shumta të jetëve në betejë me Covid-19, spitalet e stërmbushura, numri i lartë i të infektuarve, si dhe mungesa e vaksinave që është evidente, do të duhej të na alarmonin të gjithëve, pa dallim. Kjo gjendje tejet e rëndë, që fatkeqësisht ka ardhur si pasojë e mungesës së menaxhimit efikas, kërkon një reagim urgjent, një plan të gjithanshëm dhe një angazhim maksimal të institucioneve shtetërore.

Partia Demokratike e Kosovës ka qenë konsistente në qëndrimin se duhet një front i përbashkët për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve, e kurrsesi një luftë e brendshme politike. Që nga fillimi i pandemisë, PDK, duke qenë në opozitë, ka dhënë ndihmën e saj në hartimin dhe votimin e Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë dhe Ligjit për Rimbëkëmbjen Ekonomike, si dhe ka përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare për ballafaqim me situatën pandemike. Edhe sot, për ta ndalur këtë hov të kobshëm të pandemisë, PDK është e gatshme që në Kuvendin e Kosovës të ofrojë zgjidhje për qytetarët.

Duke parë që nuk janë bërë planifikimet e duhura gjatë rishikimit të Ligjit për Buxhetin për ta trajtuar pandeminë, ndonëse varianiti Delta shihej nga ekspertët botërorë si ortek që po vinte me shpejtësi, PDK e konsideron të domosdoshëm ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të vendit. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të domosdoshme ndërprerjen e pushimeve dhe kthimin e menjëhershëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe është e gatshme që të përshpejtojë marrjen e vendime për tejkalimin e kësaj tragjedie. Të infektuarit kanë nevojë për mbështetje me barna, profesionistët shëndetësorë për mbështetje me shtesa të merituara, spitalet për investime emergjente, bizneset për ndihma financiare, qytetarët për siguri.

Të gjithë kanë nevojë për ta ndjerë praninë dhe kujdesin institucional, në mënyrë që të përballohet më lehtë kjo situatë e rëndë. Nuk ka prioritet më të madh dhe nuk ka çështje tjetër më të rëndësishme që duhet të marrë vëmendje!

Sinqerisht, Memli Krasniqi Kryetar i PDK-së