Krasniqi i PSD-së: Albin Kurti nuk ka arsye të vaksinohet, e ka kryer virusin

Frashër Krasniqi nga PSD-ja ka reaguar pas njoftimit të Qeverisë se kryeministri Albin Kurti do ta marrë sot vaksinën Anti Covid.

Krasniqi në një shkrim në Facebook ka thënë se Kurti nuk ka arsye që të vaksinohet pasi që shton se ai e ka kryer tashmë virusin.

“Albin Kurti nuk ka asnjë arsye që të vaksinohet. Ai e ka kryer virusin, ndërkohë që Kosova ka marrë një numër jashtëzakonisht të vogël të vaksinave anti-Covid. Liderë të ndryshëm botërorë janë vaksinuar, ndër të tjera për të bindur qytetarët që të bëjnë të njëjtën gjë. Por ky kontigjent i vaksinave nuk është për vaksinim masiv. Është për punëtorët e shëndetësisë, të cilët s’kanë nevojë ta shohin Albin Kurtin tek vaksinohet, për t’u bindur që ta marrin vaksinën”, tha ai.

“Albin Kurti po e shfrytëzon privilegjin e pushtetit. Po vaksinohet, ashtu siç në qeverinë e tij të parë, ai dhe i gjithë stafi i tij i bënë testet para të gjithë qytetarëve të tjerë. Albin Kurti do që të tregojë që jeta më e rëndësishme në këtë vend, është jeta e tij, edhe kur kjo nuk është në rrezik. Edhe kur duhet t’ia rrezikojë jetën ndonjë qytetari tjetër që nuk do të marrë vaksinën që po e hargjon sot Albin Kurti”, ka shkruar ai.