Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se Kosova ka në përbërje të Ekipit Negociator për bisedime me Serbinë ekspertët më të mirë vendorë e ndërkombëtarë.
Ai ka përmendur edhe dy emra të huaj që janë pjesë e ekipit kosovar për bisedime.
“Ekipi Negociator për krijimin e Platformës Shtetërore, ka angazhuar disa prej ekspertëve më të mirë lokalë e ndërkombëtarë për Kosovën, në mesin e të cilëve Marc Weller dhe Ben Emerson”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, raporton Ballkani.info.
“Është e pasaktë, qëllimkeqe dhe e paskrupullt tendenca me e krahasu stafin administrativ të Ekipit tonë me ekspertët e Serbisë”.
“Mos u shqetësoni. Ekspertët më të mirë vendorë e ndërkombëtarë, ka me i pasë Kosova, veç mos pritni tash që edhe shoferët dhe asistentët me i pasë ekspertë ndërkombëtarë”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi i është përgjigjur kështu deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili mbrëmë tha se: “Serbia, në dialog me Kosovën, ka angazhuar ekspertët më të mirë vendorë që ka. Ka angazhuar dhe këshilltarë ndërkombëtarë me plot nam. Kosova ndërsa, “ekipi negociator” i saj, ka vendosur që në përballjen më të rëndësishme historike që ka, të angazhojë nipa, dajë e tezak. Për një vend pune për familjarë, marrin në qafë një vend të tanë. Pse të habitemi më pas se Serbia ecën përpara në Evropë; e ne mbesim në llumin e theqafjes së kapësve tonë”. /Ballkani.info/






