Krasniqi: Fotografia e Thaçit në seancë, pasi Osmani s’po përmirëson shkeljet ligjore

Memli Krasniqi, deputet i PDK-së, ka thënë se kjo parti ka vënë fotografinë e presidentit Hashim Thaçi në sallën e Kuvendit, pas ulëses së kryeparlamentares Vjosa Osmani, “pasi ajo nuk po i përmirëson shkeljet ligjore”.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi tha se PDK-ja është e pakënaqur që Osmani ka vendosur të zhvendosë fotografinë e presidentit aktual në zyrën e saj. Sipas tij, kjo është shkelje ligjore dhe mospërmirësimi i saj çoi në aksionin e PDK-së.

“I kemi dërguar letër zyrtare në emër të Grupit Parlamentar. Pakënaqësia jonë ndaj saj si kryetare ka të bëjë me shkeljet ligjore. Përmirësimi i shkeljes ligjore s’ka ndodhur. në mungesë të përmirësimit të shkeljes nga Vjosa Osmani ne së paku kemi në seancë fotografinë e Presidentit të Kosovës”, ka thënë ai.

Osmani kishte zhvendosur fotografinë e Thaçit në ditën e parë të punës së saj, duke vendosur aty fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.