Ish-kryeparlamentari

Krasniqi e quan Thaçin të papërgjegjshëm

Ish-kryetari i Kuvendit dhe njëri nga themeluesit e PDK-së i cili tashmë gjendet në partinë Nisma Socialdemokrate, e ka quajtur presidentin Thaçi si një politikan të pa përgjegjshëm duke ia lënë përgjegjësinë për mungesën e unifikimit politik në Kosovë në një kohë kur Kosova gjendet në prag të liberalizimit të vizave dhe ka hyrë në fazën e fundit të dialogut me Serbinë.

Klasa politike kosovare, përfshirë këtu pozitë e opozitë kanë shumë mos pajtime sa i përket dialogut Kosovë-Serbi që po zhvillohet në Bruksel e që po udhëhiqet krye në veti në Thaçi.

Teksa ka drejtuar kritika edhe në drejtim të pozitës dhe opozitës, Krasniqi ka thënë se klasa politike kosovare duhet të  gjejë gjuhën e përbashkët të paktën për dy çështje: liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Hashim Thaçi ka propozuar që të lëvizen kufijtë e Kosovës, gjë për të cilën nuk është pajtuar as kryeministri Haradinaj e as kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Opozita kategorikisht ka dalë kundër.

Krasniqi thotë se përballë këtyre politikave të çakorduara të Thaçit, vetëm një konsensus nacional mund të shërbente që njerëz të tillë të jenë jashtë politik bërjes në Republikën e Kosovës.

“Të përfundojmë, ne si komb, si politikë e njerëz në asnjë mënyre nuk duhet të lejojmë që të papërgjegjshmit, në cilindo nivel të pushtetit që janë, të na jenë mostër për veprimet politike të çakorduara siç janë momentalisht. Përkundrazi, të papërgjegjshmit vetëm konsensusi nacional i nxjerr jashtë ndikimeve politike që janë në interes të vendit e të kombit. Këto çështje kërkojnë qasje serioze nga politika përfaqësuese!”, ka shkruar Krasniqi, raporton Gazeta Express.

Në shkrimin e  tij të titulluar ‘Uniteti politik nuk lihet në dorë  të pa përgjegjshmëve’, Krasniqi ka kritikuar edhe klasën politike kosovare për mungesë të unitetit, duke thënë se politikën e shohin vetëm si interes dhe luftë për pushtet.

“Kur një intelektual i dëgjon politikanet e pozitës dhe të opozitës e kupton se ata nuk e njohin as abc-ën e politikës dhe se ata as që kanë lexuar ndonjë libër shkencore të politikës për çka ekziston një literaturë e begatë politike tek ne. Politika është idealizëm, tek ne ishte një kohë. Politika është konsensus, është kompromis, është dhe pragmatizëm, tek ne, politika është vetëm interes meskin dhe luftë për pushtet. Ketë të fundit e shohim të i gjithë spektri politik sot. Po të ishte politika e organizuar për interesin nacional, ajo në dy çështjet politike të interesit nacional që po diskutohen gjerësisht në medie do të ishte e unifikuar në të dy çështjet”, ka shtuar Krasniqi.

Sipas tij politika kosovare duhet të bëhet bashkë në këto dy çështje:

1. Në çështjen e liberalizimit të vizave, Kosova do të duhej të kishte një zë të unifikuar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në zonën shenjen. Pasi edhe kjo pengesë që ka ndodhur deri më sot ka qenë diskriminuese dhe shkelje e rëndë e të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Mënyra se si po sillet opozita për ketë çështje, është më shumë se primitivizëm dhe më shumë se diskriminuese. Të gjithë në Kosovë duhet të flasin me një zë për liberalizimin e vizave. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të ndodh tani, nesër është vonë. Opozita nuk duhet t’i gëzohet shtyrjes se liberalizimit të vizave ajo duhet t’i ofroj 101 arsyeje pse qytetarët e Kosovës është dashur edhe deri më tani ta kishin ketë të drejtë edhe për faktin se në gjithë vendet e Evropës Juglindore është shteti me numër më të vogël të popullsisë.

2. Pozitë dhe opozitë duhet të formojnë grupin për bisedime dhe strategjinë e çështjeve që duhet të bisedohen për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Konsensusi për ketë çështje është i domosdoshëm që të ndodh, më mirë sot se nesër. Kushdo që të jetë në pushtet, sot apo nesër, konsensusi do të jetë i domosdoshëm. Konsensusi duhet të arrihet në Kuvendin e Kosovës nga GP shqiptare. Nuk është mirë që të humbim shumë kohë për ketë çështje, pasi konsensusi është i domosdoshëm të arrihet, ndonëse normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk varet nga ne, por kjo është tjetër çështje. Çështje që nuk duhet të na vejë në siklet me kohën. Koha e normalizimit të marrëdhënieve nuk duhet të jetë qëllimi, qëllimi është përmbajtja dhe cilësia e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Çdo ngutje është për…! Diçka si mënyra e debatit që po zhvillohet për korrigjimin e kufijve a shkëmbimin e territoreve?! Debat që edhe mënyrën e komunikimit nder partiake e ka bërë tërkuzë.