Krasniqi: E ndaluam haraqin e pushtetit, falë fitores së PDK-së 450 mijë familje kosovare do të paguajnë energjinë pa ngritje të çmimit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media ka folur për vendimin e Gjykatës së Apelit për vërtetimin e vendimit të Gjykatës Themelore lidhur me bllokimin e tarifave të shtrenjtuara të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ai tha se falë kësaj fitoreje ligjore të PDK-së, tash e tutje, rreth 450 mijë familje kosovare do të paguajnë energjinë elektrike pa ngritje të çmimit.

“Sot, jam shumë i lumtur që ky vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm i Qeverisë dhe ZRRE-së, tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit se ka qenë vendim i kundërligjshëm. Për më shumë të njëjtin vendim e kishin mbështetur në forma të ndryshme edhe presidentja dhe të gjitha levat e pushtetit. Falë punës dhe angazhimit të këtij ekipi, e përmes vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit, saga për tarifat e reja e të padrejta mbi qytetarë ka marrë fund. Nga ky realitet i ri i krijuar, neve na vjen mirë që kemi lehtësuar barrën e kostos së rritur kundërligjshëm të çmimit të energjisë elektrike për rreth 450 mijë familje kosovare. Me këtë rast, para së gjithash dua të shprehë falënderimin për secilin qytetar anekënd Kosovës që i ka besuar kauzës sonë dhe që ka mbështetur angazhimin tonë opozitar për të ndaluar këtë haraç të padrejtë të pushtetit mbi ta.”, tha ai.Krasniqi theksoi se rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare ka qenë një zgjidhje e paramenduar dhe e projektuar nga Qeveria Kurti, e cila përmes ZRRE-së, edhe e ka bërë një gjë të tillë në muajin shkurt, kur mori vendim për rritjen e tarifave.

“Në momentin që Gjykata themelore ka thënë se duhet të pezullohen tarifat e reja, ZRRE ka bërë shkelje gjyqësore duke mos respektuar vendimin e themelores. Kjo është arsyeja pse i kemi paditur anëtarët e bordit të ZRRE-së”, u shpreh ai.