Krasniqi e Mujka – Për tre muaj, dy njerëz të afërt të Kurtit në pranga për korrupsion

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht i ka rënë fort kartës së luftimit të korrupsionit, por duket se as zyrtarët e saj nuk janë imun ndaj kësaj vepre të dënueshme me ligj.

Brenda disa muajve dy ish-zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes janë arrestuar për korrupsion. Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë me dije se nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar sot ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, i cili ka qenë kryetar i degës së VV-së në Mitrovicë.

Dyshimet e prokurorisë janë se Mujka veprën e ka kryer sa ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, e cila asokohe udhëhiqej nga Agim Bahtiri i VV-së.

Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.

Më herët, Mujka ka mbajtur edhe pozitën nënkryetarit të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.

Mujka është vetëm zyrtari i dytë i lartë i VV-së, që arrestohet për korrupsion.

Më 19 prill të këtij viti, për të njëjtën vepër është arrestuar edhe ish kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili në Vetëvendosje për disa vite kishte drejtori Komitetin për Energji.

Prokuroria kishte treguar veprat për të cilat dyshohet Krasniqi.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘Konflikti i interesit’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, ishte thënë në komunikatë.

Ish-shefi i KEK ende gjendet në paraburgim.

Arrestimi i Nagip Krasniqit kishte shkaktuar reagime të fuqishme. Arrestimi ishte bërë sebep që kryeministrit Albin Kurti ta sulmonte ashpër Prokurorin e Shtetit. Sipas tij, ky institucion qëllimshëm po i ndjek njerëzit e tij.

Opozita: Partinë në pushtet e ka kapluar korrupsioni

Edhe arrestimi i Faruk Mujkës ka nxitur reagime të ndryshme në vend.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se kjo dëshmon se partia në pushtet është kapluar nga korrupsioni.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka përmendur edhe raste tjera të njerëzve të VV-së që dyshohen për korrupsion.

Koordinimi me Radojcicindo të mbetet nën hije, partinë në pushtet e ka kapluar korrupsioni. I fundit i arrestuar për korrupsion është eksponenti i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, i cili kundërligjshëm është bërë drejtor në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenci”. Pra, arrestimi i Faruk Mujkës paska ndodhur për shkak të korrupsionit. Nagip Krasniqi i KEK-ut u arrestua për korrupsion. Martin Berishaj po hetohet për disa vepra penale. Pra, kemi një parti në pushtet që është përfshirë në korrupsion, koordinohet dhe bashkëpunon me Radojcicin”, ka shkruar Bajrami në profilin e saj në “Facebook.

Kurse, sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që pas arrestimit të Mujkës mos të përzihet në drejtësi.

Pas Nagip Krasniqit, edhe një anëtar i Bandës Zdravo paska përfunduar në pranga. Në Kosovën e Lirë, Faruk Mujka u bë bashkëpunetor i zellshëm i Albin Kurtit, e para kësaj, siç kanë raportuar mediat, ai ishte një anëtar i devotshëm i JUL-it, partisë së gruas së Sllobodan Millosheviqit, Mira Markoviqit. Albin Kurti duhet t’ia lë duart e lira institucioneve të drejtësisë dhe të mos pengojë arrestimin e mikut të tij, Martin Berishajt, për afera miliona euro në dëm të shtetit të Kosovës”, ka shkruara ai në profilin e tij në “Facebook”.

Duke ironizua ai ka thënë se duhet të shtohen hapësirat e burgjeve në Kosovë, shkruan Nacionale.

Dyzit duhet t’i shtohen katet. Duhet më shumë hapësira për Bandën Zdravo, Mimozën, Rozetën, Radojçiqin, e të tjerët me radhë. Kryeministër, lëre drejtësinë të bëjë punën e saj. Mos dil tash në foltoren e Kuvendit dhe të sulmosh Prokurorët e Gjykatësit, si në rastin e Nagip Krasniqit”, ka thënë ai.

Edhe zyrtari i Nismës, Zafir Berisha, ka thënë se arrestimi i dy zyrtareve të VV-së për korrupsion flet shumë për këtë parti.

Faruk Mujka i brumosur poltikisht si shërbëtor i Millishoviqit gjatë okupimit të Serbisë në Kosovë, i avansuar nga LVV dhe Albini si nënkryetar i Mitrovicës fillimisht dhe para disa muje i emruar si Kryeshefi në ndërmarrjen “Ibër-Lepencit, është hajni radhës i Albinit i cili u kapën me “pel për dore” 60 mijë ero në shtëpi të padeklaruara. HAJNAI E KA EMËRIN LVV”, ka shkruar Berisha.

Sipas tij, me këtë qeveri kryeministri Kurti po i fyen qytetarët e VV-së.

Tendenca që me qeveris Kosovën me mbeturina të Serbisë si Mujka dhe shumë tjerë, si dhe kordinimi me Rajdojçiqin kundër veteranëve të UÇK-së, është ofendim i shumë gjeneratave që luftuan për lirin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Një tjetër ish-zyrtar i VV-së, që dyshohet për një afër të madhe të shpëlarjes se parasë është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit në Kosovë deri me tani ka të ngritura dy kallëzime penale.