Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për rritjen e çmimeve ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për qasjen karshi kësaj situate me të cilën po përballet Kosova.
Krasniqi ka thënë se rezervat shtetërore të Kosovës duhet të rriten me urgjencë, në mënyrë që tek qytetarët e Kosovës të mos ngjallet panik.
“Sinqerisht nuk po e kuptoj qasjen e juaj. Gjendja është gati e jashtëzakonshme, veç ju si shumicë parlamentare nuk mund ta kuptoni.
Qytetarët janë të brengosur. Prapë po them ne e kemi të qartë që kjo është pasojë e luftës në Ukrainë, por ju do të duhej ta kishit parapri situatën më herët.
Ka kohë kur qeveria duhet me mbledhë taksa e me shpërnda dhe një situatë e tillë është sot. Ne kemi propozuar që duhet rritet stoku i rezervave shtetërore, që qytetarët të mos kenë panik. Rezervat shtetërore duhet të rriten me urgjencë sepse janë të frikshme paralajmërimet e vendeve në Evropë që kanë ndaluar eksportet e mallrave”, u shpreh Krasniqi.







